KEK me tender me procedurë të negociuar për remont të A5

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur lidhur me tenderin që është i hapur për remont kapital të bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”, i cili është blloku rezervë i vendit.

Për këtë tender edhe vetë Krasniqi ka thënë se është duke u bërë me procedura të negociuara.

Ai ka treguar se për remont të bllokut A5, që bëhet çdo pesë vite, brenda 2022-ës është hapur dy herë tender. Njëri në qershor, që ka qenë me procedurë të hapur, e për të cilin Krasniqi ka thënë se nuk ka pasur ofertues dhe ky që ende është në proces, por që është me procedura të negociuara.

Sipas kryeshefit të KEK-ut, për këtë tender janë ftuar 19 kompani të cilat kanë kryer remont në blloqet e kësaj korporate deri më tani duke siguruar se asnjë kompani nuk është lënë anash.

Blloku A5, për të cilin pritet që edhe disa ditë të kryhet tenderi i dytë i hapur, nuk është as në funksion. Ky bllok, sipas Krasniqit, ka rënë brenda muajit gusht.

Krasniqi ka treguar se remonti i këtij blloku mund të zgjasë deri në tre muaj.

“Te A5 ka pasur një problem gjatë muajit gusht edhe është ndalë. Edhe disa ditë presim të kryhet tenderi për remontin kapital sepse A5 është në plan për remont kapital këtë vit dhe remonti i tij mund të zgjas deri në tre muaj” – u shpreh ai.

Se pse tenderi për t’u remontuar ky bllok nuk kanë filluar procedurat për tender më herët, për të mos ardhur në situatën që blloku rezervë për prodhimin e energjisë në Kosovë të remontohet gjatë sezonës së dimrit, Krasniqi i ka pasur arsyet e veta.

“Një është sepse nëse ju kujtohet herën e kaluar kur kam qenë te ju kam folur për projektin e dilatimeve të kaldajës të B1 dhe B2. Ka qenë plani që këto dy blloqe të shkojnë në projektin e dilatimit që të ndahen nga tre muaj çdonjëri. Diku në prill/maj është marrë vesh që ky projekt shtyhet për vitin 2023” – tha Krasniqi në “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, nëse ky projekt do të ndodhte dhe në të njëjtën kohë do të bëhej edhe remontimi i bllokut A5, atëherë Kosovës do i binte që t’i ndalte B-së, atë B1 dhe B2 dhe bllokun A5, duke i lënë në funksion vetëm 2 blloqe të tjera.

Prandaj, Krasniqi ka thënë se remontimi i A5 nuk ka pasur mundësi të fillojë pa u ditur se kur do të fillonte projektin për B1 dhe B2.

Krasniqi ka treguar edhe pse ekziston dallimi mes dy tenderëve të hapur për bllokun A5. Ai ka thënë se në tenderin në qershor që ka qenë me procedurë të hapur, vetë ai ka kërkuar që të jetë tender me një llot.

Sipas tij, një kerkesë e tillë ka ardhur si shkak i praktikave jo të mira të viteve të kaluara,

“Unë personalisht kam kërkuar që me qenë një llot sepse na ka ndodhë në vitin e kaluar ta zëmë që kaldaja është përfundu për tre muaj pastaj turbina është vonu për më shumë se tre muaj. Sepse njëra kompani e ka kryer punën, tjetra s’e ka kry” – u shpreh Krasniqi.

Tutje kryeshefi shtoi se kjo bënte që KEK-ut t’i kushtonte më shumë kohë.

“De facto i bie për KEK-un nuk ka lidhje se cila kompani ka dështuar, neve na kushton që zgjat më shumë riparimi” – tha Kraniqi.

Tutje ai shtoi se ka dashur që KEK-u të ketë vetëm një kompani me të cilën do të bisedonte dhe përgjegjësia për çdo problem gjatë procesit të riparimit të binte vetëm mbi një kompani.

“Çka kam dashtë unë me bo është që me pasë këto dy kompani që i bëjnë dy llote, që ato të hyjnë vetë në konsorcium edhe ne ta kemi një palë me të cilën bisedojmë edhe ka përgjegjësinë komplete jo të pjesshme. Kjo ka qenë arsyeja. Tani a ka qenë mirë apo keq, nuk e di. Mund të ndodhë që nuk ka qenë vendim i mirë” – tha Krasniqi.

Madje, Krasniqi shtoi se teorikisht është edhe e mundshme që ky vendim të jetë shkaktari që ka dështuar tenderi në qershor.

Tenderi që është i hapur tani për bllokun A5 është i shpallur në dy llote.

“Është në dy, kemi thënë OK, nëse ky ka qenë problemi hajt të provojmë këtë tjetrin. Unë personalisht besoj që nuk ka qenë ajo arsyeja” – u shpreh kryeshefi i KEK-ut.

Krasniqi ka thënë se pret që remonti i bllokut A5 të kryhet në dhjetor. Ai tha se mund të ketë gjasa që ky proces të përfundojë edhe më herët.

“Nuk është roli i KEK-ut furnizimi me energji elektrike, është prodhimi. Këtë duhet ta dijmë. Nëse shkon prapa me vite e sheh që gjatë këtyre viteve KEK-u gjithmonë ka prodhuar me 2 njësi të A-së, dy njësi të B-së dhe një njësi rezervë. Kjo është vazhdimisht që është bë. Do ta kemi njësinë rezervë, po flasim për dimër. Remonti mund të jetë edhe më pak. Unë pres që në dhjetor me qenë gati” – tha Krasniqi.