Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

KEK: Rikthehet në operim njësia A5 e Termocentralit Kosova A

Njësia A5 e Termocentralit A është kthyer në operim duke ofruar kapacitet rreth 140 MW/h.

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit nga kompania “Monting Energetika” si dhe riparimi i kaldajës nga stafi i KEK-ut dhe kontraktorë që kanë qenë të angazhuar më herët me kontratë  kornizë.

Për këtë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vizituar sot Termocentralin Kosova A ku është pritur nga U.D zëvendës kryeshefi, Përparim Kabashi.

KEK ka bërë të ditur se riparimet në Termocentralin Kosova B kanë filluar sipas planifikimeve.

“Termocentrali TC Kosova B gjatë vitit 2023 do të ketë dy remonte kapitale të njësive B-1 dhe B-2, secila me kohëzgjatje 3 mujor. Sipas planifikimit, remonti kapital i njësisë B-2 ka filluar me 16.04.2023 dhe pritet përfundojë pas 3 muajve kur edhe planifikohet te fillojë remonti kapital njësisë B-1”- thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.

Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kishte reaguar pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për tenderin për njësinë A5 të Kosovës A.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kishte shkruar se mirëmbjajta e A5 nuk do të merrte kohë më shumë së dy muaj dhe për shkak të mos funksionit të tij, Kosova është detyruar të importoj rrymë.

LDK kishe prezentuar shifra se vetëm gjatë 11 ditëve të para të muajit prill, Kosova ka importuar 5.4 milionë euro energji elektrike.

“Blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj. Mirëmbajtja e thjeshtë e tij s’do të merrte kohë më shumë se dy muaj. Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”- kishte shkruar kryetari i LDK-së.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit. Atij i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej një muaji nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte reaguar ndaj raportimeve lidhur me kontratën për riparimin e kaldajës në njësinë A5 të termocentralit Kosova A.

Në reagim thuhet se kontrata është ndërprerë më 20 mars 2023 dhe KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagesë nuk është realizuar.

“Kontrata për ‘Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5’, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprerë më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve)”- thuhej në reagim.

Biznesi i vëllait të “Ftyrës” pjesë e tenderit për të cilin u arrestua drejtori i KEK-ut

KEK reagon lidhur me kontratën për riparim të kaldajës në njësinë A5

Nënshkruhet kontrata rreth 3.5 milionë euro për riparimin e kaldajës së bllokut A5