Rizvanolli: Do të ndalojmë eksportin e peletit dhe lëndëve djegëse me bazë druri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sot do të marrin vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri.

Sipas ministres, vendimi ka të bëjë me krizën energjetike në vend.

Rizvanolli tha se kanë vërejtur një mungesë të peletit në tregun kosovar.

“Si Qeveri ne do të ndërmarrim dhe kemi ndërmarrë  hapa për krizën energjetike. Një vendim që pritet të merret pas disa orësh është ndalimi i eksportit të peletit dhe lëndëve djegëse me bazë druri. Kemi një  mungesë të peletit në treg. Ndalimi i kriptovalutave është një ndër masat e para që i kemi marrë. Në javët në vijim do të ndërmarrim edhe masa të tjera. Ministria e Ekonomisë do të shpallë skemën e subvencionimeve në ditët në vazhdim. Masat e tilla do ta bëjnë dimrin me të lehtë dhe më të përballueshëm” – tha ajo.

Krizë për pelet

Këto komente ministrja i ka bërë gjatë vizitës në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me kryesuesin e bordit të KEK dhe kryesuesin e bordit të KOSTT, Jeton Mehmetin.

Kosova është përballur me reduktime të rrymës elektrike pas njoftimit nga KEDS se nuk ka mundësi financiare që të blejë energji elektrike nga jashtë.

Me kthimin në punë të blloqeve të KEK-ut, situata me energji elektrike në vend është përmirësuar.

Drejtori i KEK, Nagip Krasniqi, në emisionin “Kallxo Përnime” kishte thënë se KEK ka kapacitet të prodhojë rreth 760 megavatë duke mos përfshirë bllokun A5 që është rezervë. Ndërsa kërkesa për konsum mund të shkojë deri në 1400 megavatë.