Ministri Maqedonci takoi komandantin e KFOR-it, diskutuan për sigurinë në vend

Situata e sigurisë në vend, intensifikimi i patrullimit kufitar nga ana e trupave të KFOR-it, duke marrë për shkas sulmin e 24 shtatorit, e po ashtu rritja e bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës në çështje të mbrojtjes, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar në takimin që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka disktuar me komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Në njoftimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ditur se ministri Maqedonci ka thënë se bashkëpunimi FSK-KFOR duhet thelluar.

“Ruajtja e kufirit do të thotë ngritje e nivelit të sigurisë, mbyllje e rrugëve ilegale dhe luftim i grupeve kriminale nga ana e Policisë së Kosovës. Ky bashkëpunim Polici e Kosovës, KFOR, FSK ofron siguri dhe stabilitet për gjithë qytetarët dhe vendin tonë”-citohet të ketë thënë Maqedonci.

Maqedonci po ashtu e ka falënderuar komandantin e KFOR-it për gjithë mbështetjen që Turqia i ka ofruar Kosovës gjatë periudhave të ndryshme të shtetndërtimit, e sidomos në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë.

Sipas njoftimit, Maqedonci dhe Ulutash u dakorduan për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt ndërmjet Ministrisë së Mbrojtes dhe KFOR-it.

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash ka marrë komandën e KFOR-it më 10 tetor.

Ai ka marrë komandën e misionit për një mandat njëvjeçar, si komandant i 28-të i KFOR-it.

Gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash merr komandën e KFOR-it në Kosovë