Ilustrim

Ministri Maqedonci shpreh gatishmërinë për t'i ofruar ndihmë Italisë pas përmbytjeve të rënda

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, u ka ofruar autoriteteve italiane ndihmë për tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet që kanë goditur disa rajone në Itali.

Pesë persona kanë vdekur në Toskanë, pasi stuhia “Ciaran” bëri kërdi gjatë natës në Italinë qendrore dhe veriore, ku brigjet e lumenjve janë çarë dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Përmes një njoftimi në Facebook, ministri Maqedonci ka të ditur se i ka dërguar një letër homologut italian Guido Crosetto, duke i ofruar ndihmën e autoriteteve kosovare për sanimin e gjendjes së krijuar nga moti i keq.

“Pas lajmeve për pasojat e përmbytjeve në Toskana të Italisë, përmes një letre zyrtare drejtuar ministrit Crosetto, shpreha ngushëllime në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për jetët e humbura, e po ashtu vullnetin e plotë për mbështetjen e autoriteteve italiane me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet. Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin dhe qeverinë e Italisë”- ka shkruar Maqedonci Facebook.

Disa regjione të Italisë janë goditur nga stuhi të mëdha të cila kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha infrastrukturore.