Seanca ndaj Xhelal Sveçlës dhe të tjerëve - FOTO KALLXO - 09.03.2023

Ministri i Brendshëm i ulur në bankën e të akuzuarit nën akuzën për veprime të dhunshme, huligane ndaj policëve në 2013-ën

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe disa prej të akuzuarve tjerë për veprime të dhunshme, huligane, hedhje të gurëve, ngjyrës, sferave të qelqit, shisheve, mjete piroteknike në drejtim të policisë më datë 27.06.2013 janë ulur sot në bankën e të akuzuarve.

Mirëpo seanca e sotme ndaj ministrit Sveçla, Dardan Molliqajt, Nol Nushit, Frashër Krasniqit, Egzon Azemit, Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Afrim Hoxhës, Pajtim Demajt dhe Agron Kabashit ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Prishtinës.

Dëshmi i seancës erdhi si pasojë e mungesës së  gjashtë të akuzuarve ani pse ndaj tyre gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje të detyrueshme.

Sipas gjykatës Pajtim Demaj e kishte njoftuar gjykatën sot, se i njëjti për shkak të një emergjence familjare nuk mund të prezantoj në seancë.

Prezent në seancë ishin ministri Sveçla së bashku me Maqastenën, Havollin dhe Hoxhën.

Të njëjtit nga prokuroria po akuzohen për pjesëmarrje në trumë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Gjatë konstatimit të palëve në procedurë, dhe mbrojtësve të të akuzuarve të cilët ishin caktuar me kërkesë të gjykatës, ministri Sveçla u deklarua se meqenëse nuk e konsideron veten fajtor nuk ka nevojë për mbrojtës.

“Meqenëse e konsideroj vetën të pafajshëm nuk kam nevojë për mbrojtës, ky është qëndrimi im”- tha Sveçla para gjykatës.

Lidhur me këtë gjyqtari i procedurës tha që mbrojta është e detyrueshme me Kodin e ri të procedurës penale.

Tutje të pandehurit që prezantuan në seancë ishin kundër propozimit të gjykatës që ndaj të pranishmëve të veçohet procedura.

Për këtë rast të akuzuar fillimisht ishin 13 persona, por dy prej të akuzuarve Bekim Shkodra dhe Besnik Qelaj kishin pranuar fajësinë për veprën penale të huliganizmit.

Ndërsa për të akuzuarin Sami Avdiu është veçuar procedura për veprën penale të pjesëmarrjes në turmë që kryejnë vepër penale të huliganizmit si dhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 29 mars të këtij viti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com të pandehurit më datën 27.06.2013 në Prishtinë me qëllim të dëmtimit të personave zyrtar- Policëve të Kosovës, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të tyre.

Sipas aktakuzës si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar zyrtarët policorë.

Gjithnjë sipas aktakuzës me këto veprime të njëjtit i kanë dëmtuar uniformat dhe pajisjet e zyrtarëve policorë.

Të njëjtit gjithashtu me këto veprime kanë dëmtuar disa automjete të policisë së Kosovës.