Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri Elbert Krasniqi reagon pas zhvillimeve në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka reaguar për zhvillimeve të fundit në komunat veriore.

Përmes një statusi në Facebook, ministri Krasniqi ka thënë se pas betimit të kryetarëve që bënë dje kryetarët e ri të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duhet të ushtrojnë detyrat e tyre në zyra komunale.

“Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyrat e Komunave bashkë me shërbyesit civilë” – ka shkruar ai.

Sipas Krasniqit, komuna është e qytetarëve dhe ata nuk mund të mbesin pa komunë

“Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve” – ka shkruar ai.

Dhjetëra persona janë mbledhur nëpër oborre të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, më konkretisht Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në këto zona është lëshuar edhe alarmi.

Pretendimi është që të bllokohet hyrja e kryetarëve të zgjedhur të ri nëpër objektet e këtyre komunave.

Gjatë ditës së djeshme kryetarët e Komunave, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan janë betuar ndërsa ceremonitë u mbajtën nëpër objekte kryesisht shkolla e zyra lokale.

LIVE – Lëshohet alarmi në veri të Kosovës, qytetarë serbë mblidhen në afërsi të tri komunave