Zhavori në rrugë në Leposaviq, 26 maj 2023

LIVE - Zhvillimet e fundit në veri

21:35 – Ndërkombëtarët kritikuan qeverinë për situatën në veri, reagon shefi i kabinetit të Kurtit  

Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi ka reaguar ndaj kritikave të ndërkombëtarëve, pasi kritikuan Qeverinë e Kosovës për zhvillimet në Veri.

Dalipi është kundërpërgjigjur duke thënë se “nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllja e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona, atëherë jo faleminderit”.

“Nuk ka alternativë për ruajtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë. Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllja e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një grusht kriminelësh dhe huliganësh të paguar nga Beogradi dhe në listën e zezë të Thesarit në SHBA, atëherë jo faleminderit”- ka shkruar ai në Twitter.

Dalipi e ka krahasuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq me Sllobodan Millosheviqin duke thënë se po i përdor taktikat e njëjta.

“Autoritari i krahut të djathtë me lidhje të forta me Moskën Vuçiq, i cili përdor taktikat e viteve ’90 të Millosheviçit për nxitjen e dhunës dhe urrejtjes, po orkestron një tjetër dhunë në veri të Kosovës. Kjo është për të larguar vëmendjen nga problemet në vendin e tij Serbinë” – është shprehur Dalipi.

 

20:44 – Kryetari i Leposaviqit largohet nga objekti i komunës, nuk deklarohet për media

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi (LVV) para pas çastesh është larguar nga objekti i komunës, nën përcjellje të Policisë.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në vendin e ngjarjes, raporton se Hetemi nuk ka pranuar të flasë para mediave.

Në Leposaviq, para objektit të komunës ka pasur numër të madh të  gazetarëve që kanë provuar të marrin një qëndrim nga Hetemi në lidhje me zhvillimet e sotme në veri të vendit, por ai nuk është përgjigjur.

19:34 – Punëtorët e pastrimit të kompanisë “Uniteti” nga Mitrovica pastrojnë rrugët e Leposaviqit

Punëtorët e Kompanisë Rajonale “Uniteti” në Mitrovicë, kanë filluar pastrimin e rrugës nga gurët që kanë mbetur nga protesta në Leoposaviq.

Nga pamjet e siguruara nga ekipi i KALLXO.com që po raporton nga vendi i ngjarjes, shihen punëtorët teksa largojnë gurët nëpër rrugë.

19:15 – BE reagon për situatën në veri: Nuk do të pranojmë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm

Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve në veri duke thënë se dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, “të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

BE ka thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të “mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.

“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”- thuhet në reagimin e BE-së.

19:10 – Blinken: Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.

Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albn Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”- thuhet në reagimin e Blinken.

19:06 – Kryetari i Zveçanit largohet nga objekti i komunës, nuk deklarohet për media

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci (PDK) para disa minutash është larguar nga objekti i komunës, nën përcjellje të Policisë.

Ekipi i KALLXO.com nga Zveçani raporton se Peci nuk ka pranuar të flasë para mediave, ndonëse gazetarët kanë provuar të marrin një qëndrim nga ai në lidhje me zhvillimet e sotme në veri të vendit.

Ndonëse kryetari është larguar nga komuna, njësitë policore po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të objektit komunal.

Në atë pjesë nuk ka prezencë të qytetarëve.

Kryetari i Zveçanit largohet nga objekti i komunës, por zyrtarët policorë vazhdojnë të qëndrojnë para objektit

18:29 – Kryetari i Zveçanit vazhdon qëndrimin brenda komunës

Kryetari i ri Komunës së Zveçanit, Ilir Peci (PDK) po vazhdon të qëndrojë brenda objektit në zyrën e tij.

Objekti i Komunës së Zveçanit, është i rrethuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, raporton Ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes.

Kryetari Peci thuhet se pritet të dalë nga objekti i komunës, përderisa në afërsi një veturë po qëndron duke e pritur atë.

Para hyrjes së komunës po qëndrojnë edhe disa gazetarë.

Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com
Komuna e Zveçanit, Foto: KALLXO.com

17:28 – Flamuri i Kosovës vendoset në objektin e Komunës së Leposaviqit 

Flamuri i Kosovës është vendosur në një hapësirë lart në objektin e Komunës së Leposaviqit.

Pak minuta më parë, KALLXO.com raportoi se mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Komunës së Leposaviqit ka hyrë në zyrën e tij.

Flamuri i Kosovës vendoset në objektin e Komunës së Leposaviqit
Flamuri i Kosovës vendoset në objektin e Komunës së Leposaviqit

17:11 Situata në veri, Komandanti i KFOR-it i shkon në zyrë Kurtit

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Ky takim vjen pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se komandanti i KFOR-it është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

17:01 – Kryetari i Leposaviqit hyn në zyrën e tij në komunë

Mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Komunës së Leposaviqit ka hyrë në zyrën e tij.

KALLXO.com mëson se Hetemi tashmë ka hyrë në objektin e komunës dhe është vendosur në zyrën e tij të punës, si kryetar.

Që nga mesdita e së premtes, në katër komunat me shumicë serbe, është dëgjuar alarmi i sigurisë.

16:32 – Kurti nga Vushtrria: Për zhvillimet në veri, përgjigjem në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri nuk ka dashur të flasë për zhvillimet në veri.

Shefi i qeverisë, ka thënë shkurt se për këtë çështje do të përgjigjen në Prishtinë, raporton RTK.

Deri më tani nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media në Prishtinë.

16:27  – Hovenier i ashpër: Dënojmë veprimet e autoriteteve kosovare

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar ashpër në lidhje me situatën në veri.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë” – ka shkruar ai në Twitter. 

Grafika: KALLXO.com

16:18 – Ekipi i KOHA-së sulmohet në Veri

KOHA.net ka raportuar se një ekipi i kësaj media është sulmuar në Zveçan.

“Nga turma prej 30-40 protestuesish, disa prej të cilëve më maska në fytyrë, e kanë sulmuar veturën në lëvizje të KOHËS duke hedhur gurë dhe duke ia thyer xhamat, me ç ‘rast shoferi ia ka dalë të mbrohet e ta kalojë këtë situatë pa lëndime”- thuhet në lajmin e KOHA-së.

Tutje, thuhet se gazetarja dhe kameramani gjatë asaj kohe kanë qenë disa metra më larg duke përcjellë zhvillimet, e siç ka treguar shoferi i KOHËS, ngjarja ka ndodhur derisa aty kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Vetura e dëmtuar e ekipit të KTV | Foto: AGK

16:05 – Njerëz të maskuar shihen në rrugët e Zveçanit

Ekipi i KALLXO.com që qëndron në Zveçan ka parë atje persona të maskuar të cilët kanë qenë me telefona në duar duke inziqizuar situatën e tensionuar që është shkaktuar atje.

Ata kanë pasur maska në fytyrë e disa prej tyre dhe kokat e mbuluara.

16:05 – Policia për situatën në veri: Organet e drejtësisë e cilësojnë rastin ‘Sulm Kundër Rendit Kushtetues’

Situata e krijuar ka prodhuar tension, ndërsa sipas forcave të rendit, gjatë ndërhyrjes në Zveçan, pesë zyrtarë policorë morën lëndime të lehta. Përveç kësaj, Policia ka njoftuar se katër automjete janë dëmtuan, njërës prej të cilave iu vë flaka.

Gjithashtu, organet ligjzbatuese thanë se në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

Policia ka thënë se nga organet të drejtësisë është cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

“Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale” – thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Kosovës.

16:00 – Kryetari i Zubin Potokut vendoset në zyrën e objektit të komunës

Izmir Zeqiri, kryetar i zgjedhur i Komunës së Zubin Potokut ka hyrë në zyrën e tij në objektin e komunës, raporton RTV Dukagjini.

Izmir Zeqiri, vendoset në zyre të Komunës së Zubin Potokut, Foto: RTV Dukagjini

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Në Zveçan kanë ndërhyrë forcat e rendit për të zhbllokuar situatën ndërsa, edhe në atë komunë, kryetari i zgjedhur, Ilir Peci, është vendosur në zyrën e tij.

15:56 – Forca të EULEX-it shkojnë në drejtim të objektit të Komunës së Zveçanit

Në Zveçan janë parë vetura të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX të cilat kanë lëvizur në drejtim të objektit të Komunës së Zveçanit. Që nga mesdita, kur në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, u dëgjua alarmi i sigurisë, situata është tensionuar.

Në Zveçan dhe Zubin Potok, ka ndërhyrë Policia e Kosovës, për t’u mundësuar kryetarëve të zgjedhur që të vendosën në zyrat e tyre në objektet komunale.

15:55 – Pesë policë me lëndimet të lehta trupore pas trazirave në Zveçan 

Pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë lëndime të lehta trupore, pas tensioneve të cilat u krijuan në Komunën e Zveçanit gjatë ditës së sotme.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se të lënduar nga zyrtarët policorë kanë mbetur pesë.

Ende nuk dihet qartë se si janë lënduar këta zyrtarë policorë, por që në Zveçan u hodh edhe gaz lotsjellës dhe disa “shok-bomba”.

15:52 Autoblindat e KFOR-it të pozicionuara në rrugën që çon në drejtim të Zveçanit

Disa vetura të KFOR-it janë parë të vendosura në rrugën e Leposaviqit e cila të dërgon në drejtim të Zveçanit.

Ekipet e KALLXO.com janë në veri të Kosovës raportojnë se vetura dhe autoblinda të KFOR-it janë parë aty.

Më poshtë mund të shihni videon:

 

15:48 Veturat e demoluara të Policisë së Kosovës në Zveçan 

Pamjet nga Zveçani tregojnë veturat e Policisë së Kosovës, njëra e demoluar e tjetra e djegur.

Vetura e Policisë së Kosovës e demoluar, në Zveçan – Foto: KALLXO.com
Vetura e Policisë e djegur, në Zveçan – Foto: KALLXO.com

15:38 –  Momenti kur lëshohet alarmi në Leposaviq – VIDEO

Ekipet e KALLXO.com të cilët janë në teren në veri të Kosovës kanë raportuar se në komunën e Leposaviqit është dëgjuar alarmi.

Në videon më poshtë mund të gjeni alarmin e lëshuar në Leposaviq:

15:31 Situata aktuale në Zveçan

Në afërsi të komunës së Zveçanit, ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës, raporton ekipi i KALLXO.com, nga vendi i ngjarjes.

Në atë pjesë ndodhet edhe një veturë e policisë, e cila është  e djegur.

Gjithashtu pak metra më larg, në grupe të ndara ka qytetarë të cilën janë grumbulluar në zonën përreth dhe po qëndrojnë aty.

Policia e Kosovës në Zveçan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023
Policia e Kosovës në Zveçan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023

15:01 – Veturat e Policisë me xhama të thyer në Zveçan

Dy vetura të Policisë së Kosovës në Zveçan shihen të dëmtuara, me xhama të thyer. Njërës veturë i është thyer edhe pasqyra.

Ekipi i KALLXO.com që ndodhet në veri të Kosovës, ka dërguar pamjet nga vendi i ngjarjes:

Veturat e Policisë së Kosovës me xhama të thyer në Zveçan, Foto: KALLXO.com

14:40 – Kryetari i Zveçanit vendoset në zyrën e objektit të komunës

Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Komunës së Zveçanit ka hyrë në zyrën e objektit të komunës.

Në një deklarim për KALLXO.com, Peci shkurtimisht tha se gjendet në zyre dhe gjithçka është në rregull.

“Po, tash për momentin jam në zyrën e kryetarit. Më në fund mirë jemi, jam në zyrë të kryetarit tash për procedura tjera, shohim. Po jam, në përcjellje të policisë, më shumë informacione nuk kam” – tha shkurt ai.

Në pamje e publikuara nga Zveçani, shihet se para objektit të komunës, Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup qytetarësh, të cilët kishin bllokuar hyrjen për në objekt.

14:33  Vela: Strukturat serbe në veri kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës

Shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë në veri të Kosovës kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës në terren. Protestues ‘paqësor’ që përdorin veprime hibride dhe të dhunshme kundër forcave të rendit”- ka shkruar Vela në Twitter. 

Tutje, Vela ka hedhur përgjegjësinë tek Serbia për përshkallëzimin e situatës.

Foto: Blerim Vela/ Twitter

14:24 Zveçan, gaz lotsjellës para objektit të komunës

Disa persona janë parë sot para objektit të Komunës së Zveçanit në veri të vendit.

Në pamjet e publikuara nga mediumi në gjuhën serbe KoSSev shihet se qytetarët e mbledhur para komunës kanë nisur të shpërndahen pasi është hedhur gazi lotsjellës.

“Gaz lotsjellës, shpërthime dhe të shtëna para ndërtesës së komunës së Zveçanit” – thuhet në përshkimin e videos.

Sot gjatë ditës, në katër komunat e veriut është dëgjuar alarmi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, në një informacion zyrtar tha se po asiston kryetarët e zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend” – thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse” – vijon njoftimi.

13:13

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim pas alarmit të lëshuar në komunat veriore të Kosovës, në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ku qytetarë serbë kanë rrethuar me makineri hapësirat afër objekteve të komunave.

Policia e Kosovës ka thënë se forcat e rendit janë duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend” – është thënë në njoftimin e PK-së.

13:12 

Në një deklarim për KALLXO.com, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq tha se për momentin gjendet në zyrë dhe nuk di shumë detaje se çfarë po ndodh.

Ai gjithashtu tha se ka dëgjuar sirenat në qytet.

“Alarmin e kam dëgjuar edhe unë, më herët sepse tani është ndal” – tha kryetari i Mitrovicës së Veriut.

“Po, sot unë jam këtu, në objektin e komunës, në zyrë. Nuk di më shumë detaje, unë jam këtu, po punoj kam takime…” – ka deklaruar Atiq.

12:49

Në afërsi të objektit të Komunës së Leposaviqit janë parë makineri të rënda. Këto janë të ngjashme me makineri të cilat janë përdorur më herët për të barrikaduar rrugët në komunat me shumicë serbe.

KALLXO.com mëson se tashmë dy kamionë janë dërguar në afërsi të Komunës së Leposaviqit, aty ku gjatë ditës kryetari i kësaj komune Lulzim Hetemi ka konfirmuar se i është ndaluar hyrja në objekt.

KALLXO.com ka siguruar fotografi nga kjo komunë, ku shihet makineria e rëndë si dhe ekipet e KFOR-it të cilët gjenden atje.

 

12:42 

Kryetarit të ri  Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirit, i është ndaluar hyrja në objektin e komunës.

Ekipi i RTV Dukagjinit që ishte në vend të ngjarjes, tha se bllokimin e kishin bërë disa persona.

Në pamje shihen se para objektit qëndrojnë dhjetra qytetarë të cilët besohet se janë nga komuniteti serb.

Pak çaste më vonë ishte lëshuar edhe alarmi i cili në shumicën e kohës kërkon mobilizim të komunitetit serb.

Zeqiri, e kishte kryer betimin solemn dje më 25 maj.

12:33

Dhjetëra persona janë mbledhur nëpër oborre të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, më konkretisht Zubin Potok, Leposaviq dhe  Zveçan.

Në këto zona është lëshuar edhe alarmi.

Në anën tjetër, siç mëson KALLXO.com ekipet policore të njësive të ndryshme janë ftuar urgjentisht nëpër kampet policore për të qenë në gjendje gatishmërie.

Pretendimi është që të bllokohet hyrja e kryetarëve të zgjedhur të ri nëpër objektet e këtyre komunave.

Gjatë ditës së djeshme kryetarët e Komunave, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan janë betuar ndërsa ceremonitë u mbajtën nëpër objekte kryesisht shkolla e zyra lokale.

Kjo për shkak se atyre iu kërkua javë më parë që të mos hynin me dhunë nëpër objektet e komunave.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme është penguar hyrja e kryetarëve të rinj nëpër komuna.