Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Çeku parasheh mundësinë për padi ndaj Serbisë për moskthimin e artefakteve

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në mesin e hapave që planifikon t’i ndërmarrë për kthimin e artefakteve etnografike dhe arkeologjike në Kosovë, të cilat janë grabitur nga Serbia në vitet e 90-ta, është edhe padia ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Është pjesë e planit tonë por do të shkojmë edhe me hapa tjerë derisa t’i vijë radha padisë. Shpresojmë që pa ardhë te padia do i kthejmë ato”, tha Çeku në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ministri tha se beson që në një periudhë shumë të shpejtë do të marrin veprime konkrete në kthimin e koleksionit të artefakteve dhe se kjo nuk duhet as të diskutohet  sepse janë pasuria jonë kulturore.

“Nuk është temë për të cilën mundemi të negociojmë ose të japim diçka në shkëmbim se është diçka që na takon neve. është gabim që duhet të japim diçka në shkëmbim për të marrë pasurinë që na takon. Edhe nëse shkojmë në dialog duhet t’ia themi palës dhe ndërmjetësuesit se ato artefakte duhet të kthehen dhe se asgjë nuk jemi të detyruar të shkëmbejmë”, tha Çeku.

Në mesin e mundësive që Çeku i përmendi për t’i kthyer artefaktet janë bisedimi dhe intensifikimi me Muzeun e Beogradit, ndihma nga organizatat ndërkombëtare të muzeologjisë dhe trashëgimisë dhe institucionet e Bashkimit Evropian që mund të ndihmojnë në rikthimin e tyre.

Sipas tij, Serbia me këto veprime shkel konventat ndërkombëtare me moskthyerjen e pasurisë kulturore në vendin e origjinës. Përveç kësaj Serbia vazhdon të shkelë edhe detyrimin në Planin e Ahttisarit ku thuhet që Serbia në mënyrë decidive duhet t’i kthejë koleksionin e artefakteve.

Artefaktet nga Kosova gjenden në Muzeun Popullor të Beogradit dhe Muzeun Etnografik të Beogradit. Ato u dërguan në Beograd me qëllim që të ekspozohen dhe të rikthehen por të njëjtat nga vitet e 90-ta gjenden në Beograd.