Marrëveshje në vlerë 25 milionë euro me synim banimin e përballueshëm për familjet e cenueshme në Kosovë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB), Carlo Monticelli, kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë 25 milionë euro.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i një sistemi gjithëpërfshirës të banimit social.

“Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cenueshme të shoqërisë të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi” – u tha në njoftimin e Ministrisë.

Tutje u njoftua se përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale.

Ministri Murati tha se projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cenueshme.

Ndërsa, sipas njoftimit, guvernatori Monticelli deklaroi se kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës.

Të dyja palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurt.