Takimi në mes Liburn Aliut, Hysen Durmishit me Shaip Kamberi, Foto: Liburn Aliu/Facebook
Ministri Aliu kërkon nga shqiptarët e Luginës ta votojnë listën e Shaip Kamberit
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, së bashku me zëvendësministrin Hysen Durmishi, dhe zyrtarë të tjerë janë takuar me politikanin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi.
Sipas ministrit Aliu, këtë takim e kanë zhvilluar për t’i shprehur mbështetje Kamberit në zgjedhjet në Serbi, të cilat do të mbahen më 17 dhjetor.
Teksa u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginë që ta votojnë listën e subjekteve të bashkuara shqiptare ‘’Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi’’, ministri Aliu ka njoftuar se vitin e ardhshëm do të vazhdojnë ndërtimin e autostradës së Gjilanit, nga Bresalci te Dheu i Bardhë, pika kufitare që lidh Kosovën me Luginën e Preshevës.
“Bashkë me Arditën, Hysin, Kadriun dhe Ragmiun u takuam me Shaip Kamberin, bartësin e Listës së subjekteve të bashkuara shqiptare ‘’Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi’’, për t’i shprehur mbështetjen tonë dhe për t’i bërë thirrje secilit shqiptar nga Lugina që të votojë këtë listë që paraqet rezistencën kryesore ndaj një regjimi antishqiptar, autoritar dhe jodemokratik siç është ky aktual në Serbi” – ka shkruar ministri Liburn Aliu.