Mesazhet ofenduese ndaj NATO-s dhe Njësive Speciale në fshatin Soqanicë, Leposaviq, foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Mesazhe ofenduese ndaj NATO-s e Njësive Speciale në Leposaviq - FOTO

Në veri të Mitrovicës, në dy vitet e fundit janë shpeshtuar grafitet e mbishkrimet e ndryshme të cilat bëjnë thirrje për rezistencë, thirrje nacionaliste, fashiste e mbështetëse për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Së fundit, ekipi i KALLXO.com ka parë që përballë me stacionin policor në komunën e Mitrovicës së Veriut tash e një kohë shihet një grafit në të cilin shkruhet “NATO shko në shtëpi”.

Mesazhet ofenduese ndaj NATO-s dhe Njësive Speciale në fshatin Soqanicë, Leposaviq, foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Grafite të ngjashme që bëjnë thirrje për tërheqje të trupave të NATO-s nga Kosova janë parë edhe rrugës për në Leposaviq.

Në fshatin Soqanicë, në rrugën kryesore në një urë është e vendosur një pankartë me parametra të mëdha e në të cilën shkruhet “Këtu është Serbi”.

Vetëm pak metra më larg nga kjo pankartë në një pritore të autobusit janë shkruar mesazhe ofenduese nga NATO-s e edhe ndaj njësive speciale të Kosovës.

“F*uck NATO”, “F*ck ROSA”, “Kosovo 1389”, dhe shenja e cila simbolizon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe janë parë në këtë pritore të shënuara me ngjyrë të kuqe së fundmi.

Mesazhet ofenduese ndaj NATO-s dhe Njësive Speciale në fshatin Soqanicë, Leposaviq, foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

ROSA është një fjalë e cila i referohet Njësive Speciale të Policisë së Kosovës. Para formimit të njësive speciale të veçanta, të gjitha këto njësi njiheshin si ROSU- Njësi Rajonale për Mbështetjen Operative.

Tashmë Policia e Kosovës ka disa njësi të veçanta të cilat thirren për të kryen punët e tyre në bazë të detyrave që u përcaktohen.

Njësia Speciale Intervenuese konsiderohet se është njësiti elitë i Policisë së Kosovës që pasohet më pas me Njësinë Speciale Operative, Njësitë Speciale për Reagim të Shpejtë, Njësitin e qenve K-9, njësitin FAST, njësitin e trafikut rrugor, njësinë e Mbrojtjes së Afërt e të tjera.

Viti 1389 shënon “Betejën e Kosovës”, betejë kjo e cila kujtohet çdo vit nga serbë të ndryshëm që vijnë edhe nga vende të ndryshme.

Festimet nisin në Manastirin e Graçanicës për të vazhduar më pas në Gazimestan.

Këtë vit, për shkak të situatës që u krijua në veri të vendit nuk pati festë në Gazimestan.

KALLXO.com raportoi sot edhe për grafitin nacionalist i cili thotë “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e i cili i referohet ushtrisë serbe.

Grafiti u pa nga ekipi i KALLXO.com, në magjistralen Leposaviq- Jarinje, në fshatin Dren, në një objekt të pabanuar është vizatuar me ngjyrë të verdhe grafiti i cili përmban thirrje nacionaliste “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Një thirrje e tillë fillimisht ishte parë fillimisht në një ndeshje futbolli në Beograd. I njëjti ishte krijuar nga tifozët e klubit Crvena Zvezda më datë 26 korrik 2023, në një ndeshje miqësore me klubin Fiorentina.

Thirrja “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë, një tank mbrapa i formuar nga tifozët së bashku me flamurin e Serbisë në sfond u mbajtën për disa minuta gjatë kësaj ndjeshje futbolli.

Pas publikimit të këtyre pamjeve reagimet në Kosovë nisën nga ai i kryeministrit Albin Kurti, i cili në Tëittër tha se gjatë ndeshjes u bë thirrje që ushtria e Serbisë të kthehej në Kosovë.

“Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”- kishte shkruar Kurti në Twitter duke bashkangjitur edhe fotografitë ku shihej Arkani dhe thirrja e tifozëve.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku kishte reaguar duke thënë se Serbia tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse.

“Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”- ka shkruar Çeku në rrjetin social Facebook.

Ndaj këtij veprimi reagoi edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve”- thuhet në reagimin e FFK-së.

Tutje ata thanë në reagim se ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.

Pas kësaj thirrje që fillimisht u promovua në ndeshjen e Crvena Zvezdës, thirrje e grafitë të ngjashme u shfaqën në vende të ndryshme në Serbi në fund të korrikut por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Parulla me thirrje për nxitje që ushtria e Serbisë të kthehet në Kosovë, në Leposaviq u pa pranë edhe simbolit me 4 c i cili simbolizon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Mbishkrime të tilla që bëjnë thirrje për rezistencë shihen në vende të ndryshme në veri të vendit.

Në katër komunat me shumicë serbe disa herë KALLXO.com ka raportuar edhe për thirrjet e tjera ato si “NATO shko në shtëpi”, “KM mbetet”, “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu për të ju mbrojtur”, “Nga 21 nëntori obligim për të gjithë të bëjnë rezistencë në çdo hap. Brigada e Veriut. Ne nuk dorëzohemi! KM qëndron”.

Në veri të vendit KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2021 se si lartësohet edhe figura e të dënuarit për gjenocid e krime lufte, Ratko Mlladiq.

Murali është i vendosur në afërsi të Komunës së Zveçanit në një objekt.

Krimineli i luftës Ratko Mlladiq ‘lartësohet’ në Zveçan, mekanizmat shtetërorë të Kosovës heshtin