Mehaj falënderon autoritetet e Maqedonisë së Veriut për angazhimin në rastin pas aksidentit në Lepenc

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka falënderuar autoritet e Maqedonisë së Veriut për angazhimin për rastin e aksidentit në lumin Lepenc.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, falënderoj autoritetet e Maqedonisë së Veriut për punën, bashkëpunimin dhe koordinimin me ekipet dhe njësitet tona që kanë qenë në kërkim të qytetarëve tanë. Në veçanti falënderoj Ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së veriut, znj. Slavjanka Petrovska si dhe Gjeneral Besnik Emini, i gjithë angazhimi nga të dyja palët ka qenë në nivelet më të larta të mundshme”- ka shkruar Mehaj në facebook.

Ministri Mehaj ka bërë të ditur se ekipi i FSK kanë qenë në vendin e ngjarjes menjëherë pasi që kanë marrë njoftimin.

“Mbrëmë menjëherë pasi kemi marrë njoftimin për aksidentin e ndodhur në lumin Lepenc në Maqedoninë e Veriut, kemi filluar koordinimin me Ambasadën tonë në Shkup dhe autoritetet Maqedonase nga ku edhe kemi marrë kërkesën për mbështetje me ekipet tona të AME-së, Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kërkesës ju kemi përgjigjur menjëherë dhe në orën 00:40 ekipi ynë ka qenë në vendin e ngjarjes”- ka shkruar ai.

Mehaj ka shprehur ngushëllime për familjen Pacolli dhe Visoka që humbën familjarët e tyre në këtë tragjedi.

Para rreth një ore në lumin Lepenc janë nxjerrë trupat e pajetë të 3 anëtarëve të familjes Pacolli.

Ata kishin rënë në lum pas një aksidenti  ndodhur në aksin rrugor Shkup – Bllacë.

30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të angazhuar për kërkim shpëtim.

Sot autoritetet maqedonase kanë njoftuar se kanë arrestuar një 64-vjeçar nga Shkupi për këtë aksident.

Ambasada e Kosovës në Shkup: Gjendet vetura me trupa të pajetë në të në lumin Lepenc