Foto: Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në Twitter

Ambasadori amerikan falënderon Armend Mehajn për shërbimin e tij, bashkëpunimin dhe partneritetin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka falënderuar tashmë ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për shërbimin e tij.

“E vlerësoj mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Mehaj për shërbimin e tij dhe bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. Duke i uruar më të mirat në përpjekjet e tij të ardhshme” – ka shkruar Hovenier në Twitter, krahas një fotografie të përbashkët.

Armend Mehaj ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për arsye familjare.

Mehaj ka thënë se shërbimi në Qeverinë e Kosovës ka qenë ‘një detyrë me shumë sfida, me shumë punë dhe përpjekje, me përgjegjësi të lartë përballë detyrave’.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”- ka shkruar ai.

Kryeministri, Albin Kurti ka emëruar Ejup Maqedoncin ministër të ri të Mbrojtjes.