Ejup Maqedonci dhe Armend Mehaj Foto: Ejup Maqedonci (facebook)

Maqedonci pranon detyrën, tregon synimet për Ministrinë e Mbrojtjes

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pasi ka pranuar detyrën ka thënë se si ministër do të ketë synim forcimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- ka shkruar ai në Facebook.

Maqedonci ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për besimin dhe mbështetjen për drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj”- ka shkruar ai.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit”- ka theksuar ai.

Maqedonci ka thënë se atë e presin shumë punë në Ministrinë e Mbrojtës.

“Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës”- ka theksuar ai.

Emërimi i Maqedoncit në krye të ministrisë së Mbrojtjes, vie pas dorëheqjes së Armend Mehaj nga kjo pozitë.

Mehaj përmes një postimi në facebook, ka thënë se drejtimin e ministrisë po e lë për shkaqe familjare.

Mehaj tregon sfidat dhe arsyen e dorëheqjes së tij