Me veturë të vjedhur më 2021 në Itali, shtetasi nga Shqipëria tenton të futet në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, rreth orës 13:00 është sekuestruar një veturë, e cila ishte raportuar e vjedhur në 2021-ën në Itali.

Sipas njoftimit të Policisë, vetura e tipit “Land Rover”, me targa të Shqipërisë dhe me drejtues shtetas të Shqipërisë, kishte tentuar që të hynte në Kosovë.

Vetura thuhet se vetura ishte përzgjedhur për kontrollë në vijën e dytë dhe gjatë kontrollit të veturës, është dyshuar se vetura është raportuar e vjedhur.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX, të cilët janë me mision në Pikën e Kalimit Kufitar Vermicë, është bërë verifikimi më i detajuar i automjetit dhe pas një pune hetimore dhe verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky automjet është raportuar i vjedhur në Itali, në vitin 2021”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje thuhet se dyshohet se veturës i janë falsifikuar dokumentet e automjetit dhe i njëjti është ri-regjistruar në Shqipëri.

Lidhur me rastin, Policia ka thënë se është njoftuar Prokurori i Shtetit pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, i cili thuhet se ka urdhëruar që të iniciohet rasti dhe vetura të sekuestrohet.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se lënda për hetim i dorëzohet njësitit së autokrimeve për hetime dhe procedim të mëtejmë.