Më shumë se katër muaj nga dorëzimi i ankesës, Gjykata e tenderëve ende nuk ka marrë vendim për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë

Gjykata e tenderëve ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me tenderin e dyshimtë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për rrugën Prishtinë – Podujevë. Kanë kaluar më shumë se katër muaj prej kur kompania “Sallahu”, e cila kishte marrë pjesë në tenderin 35 milionë euro kishte dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por kjo e fundit ende nuk ka dalë me ndonjë vendim për këtë tender. Në bazë të Ligjit të Prokurimit, OSHP-ja duhet të vendos për një ankesë brenda 34 ditëve duke llogaritur të gjitha hapat dhe afatet ligjore që duhet të ndiqen deri në nxjerrjen e vendimit.

Sipas OSHP-së, ka vonesa në nxjerrjen e vendimit për shkak të numrit të madh të ankesave që dorëzohen në këtë institucion dhe numrit të vogël të stafit për t’i trajtuar ato.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në OSHP, edhe pse Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Kompania “Sallahu” që kishte marrë pjesë në këtë tender, sipas OSHP-së, kishte dorëzuar ankesë më 16 qershor 2023.

Më pas, OSHP-ja ka përcaktuar ekspertin për të shqyrtuar ankesën, i cili me 23 gusht 2023 ka dorëzuar raportin e tij të ekspertizës te Bordi i OSHP-së.

Që nga ajo datë, raporti i ekspertit është ende në shqyrtim nga ana e Bordit të OSHP-së.

“Duhet po ashtu shpjeguar dhe rrethanën, thuajse gjithnjë prezente në fund të çdo viti, se një varg i terë i aktiviteteve të cilat i takojnë sektorit të shëndetësisë, Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë janë me natyrë urgjent të cilat duhen trajtuar me prioritet sepse konsiderohen me interes publik. Andaj natyrisht se në rrethana e tilla, pa dashjen e Bordit paraqiten vonesa për zgjidhjen përfundimtare të disa lëndëve tjera” – thuhet në përgjigjen e OSHP-së për KALLXO.com.

OSHP-ja ka thënë se që nga emërimi i bordit në qershor të vitit 2022, e deri në muajin tetor të vitit 2023, ka funksionuar me tre anëtarë nga pesë sa është dashur t’i ketë.

“Nga ana tjetër, akoma administrata e OSHP ka mungesë serioze të stafit profesional i cili është më se i nevojshëm për realizimin e funksioneve mbështetëse për Bordin. Krahas rrethanave si më sipër, OSHP në mënyrë të vazhdueshme përballet me një numër të konsiderueshëm të lëndëve, vëllimi i të cilave e tejkalon kapacitetin organizativ të këtij Institucioni”.

KALLXO.com gjithashtu ka pyetur OSHP-në se a ka ndonjë presion të jashtëm, që ka mundur të ndikojë që të zvarritet vendimi për tenderin e dyshimtë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Nga OSHP kanë thënë se bordi prej që është emëruar vazhdimisht është përballur me shpifje nga më të ndryshmet.

“Ju kujtojmë po thuajse nga dita e emërimit në ketë detyrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Bordi vazhdimisht përballet me shpifje nga më të ndryshmet, të cilat natyrisht se reflektohen dhe në ushtrimin e kompetencave vendimmarrëse dhe funksioneve parësore të tij, i cili paraqet ndoshta njërin nga organet më të rëndësishme të sistemit të prokurimit publik. Mirëpo sa i përket kësaj lënde, OSHP ju informon se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë absolutisht nuk pasur asnjë lloj ndërhyrje, përderisa vonesa në procesin e shqyrtimit dhe vendosjes buron kryesisht nga rrethanat me natyrë objektive të shpjeguar si më sipër” – thuhet në përgjigje.

Në korrik të këtij viti në emisionin KallxoPernime ishte transmetuar hulumtimi se si Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar kontratat për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në OSHP.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

“Nuk është e vërtetë kjo, pra nuk ka pasur ankesë në OSHP. Sepse sikur të kishte ankesë në OSHP ne nuk do të mund t’i nënshkruajmë kontratat. Sepse ne funksionojmë me një sistem elektronik të prokurimit dhe në momentin kur ka ankesë, pezullohet procesi. Është e pamundur që të ngarkohen kontratat në sistem. Pra nuk ka pasur ankesë dhe ne i kemi nënshkru kontratat dhe ato kontrata janë në sistemin e e-prokurimit, në të kundërtën nuk do të kishim pasur mundësi edhe sikur të donim” – kishte deklaruar zv.ministri Hysen Durmishi në emisionin KallxoPernime në korrik të vitit 2023.

Durmishi kishte deklaruar se në qoftë se OSHP-ja merr ndonjë vendim duke u bazu në kërkesën e “Sallahut”, bën shkelje ligjore.

“Shkelje të Ligjit të prokurimit publik. Dhe unë si me thanë kam shpresa që OSHP nuk bjen në kësi lajthitje sepse janë institucion shumë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur të drejtë me bo ankesë në shkallë të parë kompania ‘Sallahu’, ka pasur të drejtë kompania ‘Salillari’, ose konkretisht personi i autorizuar, Lulzim Salilari. Askush tjetër. Nuk e kanë bërë një gjë të tillë” – kishte deklaruar Durmishi.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania “Bageri”, pronarin e së cilës zëvendësministri Hysen Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e kishte mohuar se ka pasur ndikim që “Bageri” të fitojë këtë LOT të tenderit.

Kompania “Sallahu” që kishte bërë ankesë për tenderin Prishtinë – Podujevë, është pikërisht kompania që është duke ndërtuar rrugën A në Prishtinë, e të cilin projekt e ka pezulluar aktualisht Gjykata Komerciale, për shkak të procedurave të prokurimit.