Më 2007 Enver Hoxhaj mori 10 mijë vota më shumë sesa në dy palë zgjedhjet e fundit bashkë

Partia Demokratike e Kosovës është partia e parë e cila e ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryeministër.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, është nominuar nga kjo parti si kandidat për shef të Qeverisë.

Mirëpo në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Enver Hoxhaj nuk kishte “performuar” mirë në zgjedhje. Rezultati i tij ishte shumë herë më i vogël sesa në zgjedhjet e para që ishin mbajtur në Kosovë me lista të hapura.

Ndonëse ishte vendosur i katërti në listë, në zgjedhjet e vitit të kaluar Enver Hoxhaj kishte marrë vetëm 11 mijë e 52 vota.

Bedri Hamza, Uran Ismajli, Bajrush Xhemajli, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Ferat Shala kishin qenë deputetët më të votuar se Enver Hoxhaj në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Ndërsa më 2017, Hoxhaj kishte marrë më shumë se dyfishin e votave. Ai kishte marrë 24 mijë e 396 vota.

Mirëpo, të dhënat në 5 palë zgjedhjet e fundit, në të cilat Hoxhaj ka marrë pjesë, tregojnë se ai ka pasur rënie në mbështetje.

Më 2007, në zgjedhjet e para me lista të hapura, Enver Hoxhaj kishte marrë 45 mijë e 400 vota. Në ato zgjedhje është votuar edhe për Kuvend të Kosovës edhe për kryetar të komunave. Hoxhaj përveç në listën e deputetëve, kishte qenë edhe kandidati për kryetar të Suharekës.

Për të parin e Suharekës, Hoxhaj kishte marrë 9 mijë e 339 vota. Në balotazh kishte humbur kundrejt Sali Asllanajt të LDK-së. Madje kishte marrë rreth 1 mijë vota më pak sesa në rundin e parë.

Në zgjedhjet e 2010, Hoxhaj kishte marrë 30 mijë e 302 vota.

Ndërsa në zgjedhjet e 2014, Hoxhaj kishte arritur t’i grumbullonte 22 mijë e 187 vota.

Numri i votave për Enver Hoxhajn ndër vite tregon që më 2007 ai ishte mbështetur për 10 mijë vota më shumë sesa në dy palë zgjedhjet e fundit së bashku.

Nëse i mbledhim votat e tij në 2017 dhe 2019, totali i shkon në 35 mijë e 448 vota. Derisa më 2007 kishte pasur 10 mijë më shumë se sa këto dyja bashkë. 45 mijë e 400 vota.

Më poshtë gjeni votat e Enver Hoxhajt në të gjitha zgjedhjet për Kuvend të Kosovës që nga vitit 2007.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Enver Hoxhaj ka pasur 11,052 vota

Në zgjedhjet e vitit 2017 Enver Hoxhaj ka pasur 24,396 vota

Në zgjedhjet e vitit 2014 Enver Hoxhaj ka pasur 22,187 vota

Në zgjedhjet e vitit 2010 Enver Hoxhaj ka pasur 30,302 vota

Në zgjedhjet e vitit 2007 Enver Hoxhaj ka pasur 45,400 vota

PDK nominon Enver Hoxhajn për kryeministër