MCC pezullon disa projekte në Kosovë, kërkon heqjen e tarifës nga qeveria

Korporata e Sfidave të Mileniumit ka bërë të ditur se ka pezulluar implementimin e disa projekteve të financuara nga ShBA-ja.

Sipas njoftimit kjo po bëhet për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës që ta  largojë në mënyrë të menjëhershme tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara në lidhje me tarifën e Kosovës ndaj mallrave serbe është i qartë. Largimi i tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa çështja e tarifës të zgjidhet, MCC-ja do të pauzojë implementimin e ‘threshold program’ dhe zhvillimin e e programit kompakt të propozuar”, thuhet në njoftim.

Sipas MCC-së me largimin e tarifës, ata do të vazhdojnë operimin e zakonshëm.

“Vendimi për të vazhduar me programet e MCC-së vendoset nga veprimet e Qeverisë së Kosovës.MCC shpreson dhe Qeveria e Kosovës zgjedh të zgjidhë çështjen e tarifës në mënyrë që të vazhdohet me programet e MCC. Në momentin kur zgjidhja arrihet, MCC do të vazhdojë operimet si është e përshtatshme”, përfundon njoftimi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të vazhdueshme nga ShBA, specifikisht i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell që i ka kërkuar Kurtit që taksën ta heq të plotë dhe menjëherë.

Dje, edhe Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova si përgjigje ndaj mbajtjes së tarifës.

Megjithatë, edhe pas këtyre reagimeve, Kryeministri Kurti është shprehur i bindur se masa e propozuar nga ai është e duhura.

Djali i Donald Trump: Koha për t’i kthyer trupat ushtarake nga Kosova