
Djali i Donald Trump: Koha për t’i kthyer trupat ushtarake nga Kosova
Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Në një postim në Twitter, Trump i riu, ka thënë se pajtohet me kërkesën e senatorit.
“Pajtohem. Janë 650 trupa amerikane në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi”, tha shkurt Donald Trump Junior.
Sot, David Perdue, senator amerikan, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave Serbisë.
Agree. There are 650 US troops in Kosovo. Time to bring them home. https://t.co/gKaQHAkyL5
— Donald Trump Jr. (@DonaldJTrumpJr) March 10, 2020
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në horizont, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë”, ka shkruar në Twitter, senatori Perdue që vjen nga Partia Republikane të cilës i përket edhe Presidenti Donald Trump.
Në të kundërtën senatori Perdue ka kërkuar nga SHBA ta shqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
“Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë SH.B.A. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka theksuar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.
Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.
Ndërsa nga BE-ja kryeministri kosovar kërkoi që të reflektojë, duke e bërë liberalizimin e vizave për Kosovën.