Mbrojtja e Thaçit vazhdon sot me pyetjet ndaj dëshmitarit të tetë të ZPS-së

 

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, sot, dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë me dëshminë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të mërkurën dëshmitari me kodin 4323 po vijon dëshminë duke i’u përgjigjur pyetjeve të ekipit të mbrojtjes së Thaçit.

Dëshmitari i mbrojtur 4323 ka nisur sot dëshminë në seancë të mbyllur për publikun duke i’u përgjigjur pyetjeve nga avokati mbrojtës Gregory Kehoe.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.