Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon të dijë kur do të fillojë marrja në pyetje e dëshmitarëve

Sot është mbajtur konferenca e katërmbëdhjetë për ecurinë e çështjes kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë konferencë u diskutua për plotësimin e provave dhe dëshmitarët e siguruar nga Prokuroria.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkoi që të përgatitet sa më shpejt dosja paraprake për këtë çështje, meqë u bë kohë e gjatë që të mbrojturit e tyre gjenden në paraburgim.

“Nuk mund t’i mbajmë njerëzit në paraburgim për 22 muaj sepse po i afrohemi fundit të fazës paraprake” – tha mbrojtja.

Gjithashtu mbrojtja paraqiti vërejtje ndaj mënyrës së paraqitjes së dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë, mirëpo Prokuroria konsideroi se kjo gjë i përket fushëveprimit të saj.

“Si e bën Prokuroria thirrjen e dëshmitarëve është brenda kompetencave të Prokurorisë dhe ashtu duhet të mbetet” – thotë Prokuroria.

Mbrojtja e quan një deklaratë të tillë nga ana e Prokurorisë “ shqetësuese” dhe insistoi që të njoftohen paraprakisht nga Prokuroria se kur do të fillojë marrja në pyetje e mbi 300 dëshmitarëve.

Prokuroria dhe mbrojtja njoftojnë se procesi i hetimeve vazhdon.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.