Eksporti - Foto: REL/EPA
Mbi 563 milionë euro deficiti tregtar në muajin mars 2026
Në muajin mars 2026, tregtia e Kosovës vazhdoi të anojë drejt importit, duke krijuar një deficit prej 563,5 milionë euro. Eksportet mbetën të ulëta e të udhëhequra nga metalet, ndërsa importi u dominua nga produktet minerale, makineritë dhe ushqimet. Vendet anëtare të BE-së dhe ato të CEFTA-s mbeten boshti i shkëmbimeve tregtare të Kosovës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bënë të ditur se tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë pati një deficit tregtar prej 5,2 % në muajin mars 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 563,5 milion euro, krahasuar me deficitin prej 535,7 milion euro në vitin 2025.
Sipas ASK-së, eksporti në muajin mars 2026 mbulon importin me 13,6 %
“Eksporti i mallrave në muajin mars 2026 kishte vlerën 88,4 milion euro, ndërsa importi 651,8 milion euro që është një rritje prej 18,2 % për eksport, si dhe një rritje prej 6,8 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.”-thuhet në komunikatë.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,2 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,4 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,1 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,3 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,2 % e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; etj.
ASK tregon se importin e Kosovës e përbejnë produktet minerale, makineritë, pajisjet mekanike e elektrike
“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,5 % e përbëjnë produktet minerale; 14,3 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6 % e përbëjnë mjetet e transportit; 10,0 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.”-tregon ASK.

284 milionë euro importe nga vendet e Bashkimit Europian
Ma partner kryesor Gjermaninë, Kosova eksportoi mbi 29 milionë euro mallra drejt vendeve të BE-së
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29,3 milion euro ose rreth 33,2 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,9 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0 %), Italia (3,8 %), Holanda (2,9 %), etj.”-njofton ASK
Në anën tjetër importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 284,1 milion euro ose 43,6 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,1 %.
Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,5 %), Italia (4,5 %), Polonia (3,4 %), etj.
Maqedonia për eksport dhe Shqipëria për import janë partnerët kryesor të Kosovës në CEFTA
Sipas të dhënave të ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 40,8 milion euro ose 46,2 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 21,8 %.
Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 16,2 %, Shqipëria 14,2 %, Serbia 8,8 %, Mali i Zi 5,2 % etj.
Më shumë import nga Shqipëria, është bilanci tregtar i Kosovës me vendet e CEFTA-s për muajin mars
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 78,1 milion euro ose 12,0 % të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-23,1 %). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (3,8 %), Maqedonia e Veriut (3,6 %), Serbia (3,3 %).”-thotë ASK.
Kosova mes Kinës dhe Turqisë në eksport-importin e mallrave me vendet tjera
ASK tregon se eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 18,2 milion euro ose 20,7 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra 10,2 % dhe Turqia 3,8 %.
Sipas të dhënave, importi nga vendet tjera arriti rreth 290 milionë euro, ku Kina ruan primatin
“Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 289,6 milion euro ose 44,4 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,6 %) dhe Turqia (11,0 %).”-thotë komunikata.