Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

“Mbajtës i familjes” – rrethanë lehtësuese për pronarët e bizneseve kur dënohen nga gjykata për aksidente në punë

Kur pronarët e bizneseve kanë dalë para gjykatës për aksidentet në vendin e punës të punëtorëve të tyre, gjykatat kishin marrë parasysh më shumë rrethana lehtësuese sesa rënduese për ta.

Kjo kishte ndodhur edhe pse shumica nga këto aksidente kishin qenë me lëndime të rënda trupore e disa edhe me pasoja të përhershme për këta punëtorë.

Kjo evidentohet në 27 raste gjyqësore të analizuara në raportin e BIRN – “Viktimat e padrejtësisë”, në të cilin janë grumbulluar gjetjet mbi të drejtat dhe sigurinë në punë për vitin 2023.

Në këto raste, rrethanat lehtësuese që dominuan kur gjykatat shqiptuan dënime për këta persona ishin; pranimi i fajësisë, pendesa për kryerjen e veprës penale, rrethanat personale (mbajtës i familjes, prindërimi), e deri tek pagesa e barnave për punëtorët e lënduar e pagesa e shërimit në disa raste edhe jashtë shtetit.

Personat e akuzuar kishin qenë në shumicën e rasteve pronarët e bizneseve dhe personat që kishin pasur për obligim krijimin e një ambienti të sigurtë për punë.

Nga 27 raste të analizuara gjyqësore, në 7 prej tyre, asnjë nga gjykatat e vendit nuk kishte gjetur rrethana rënduese.

Në 11 prej tyre, në dosjen e prokurorisë nuk ishte evidentuar se Inspektorati i Punës kishte dalë për inspektim në aksidentet që kishin ndodhur.

Raporti përmban të dhëna kuantitatike dhe kualitative mbi informacione të marra nga akterët kryesorë, Inpektorati i Punës që ka rolin kryesor në mbrojtjen e këtyre të drejtave e deri te institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka rol këshilldhënës.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar më 14 dhjetor nga BIRN.

Nga ky raport rezulton se edhe hetimet penale lidhur me këto raste janë të cekëta, të vonuara dhe nuk sigurojnë prova të detajuara për të argumentuar çështjet.

“Në situata të tilla kur prokuoria ka vonesa në fillimin e hetimeve, provat e rëndësishme mund të zhduken ose dëshmitarët mund të ndryshojnë deklaratat e tyre” – thuhet në raportin e publikuar nga BIRN.

Kjo ka pasuar me dënime të buta ndaj biznismenëve duke ‘shpëtuar” me dënime me gjobë, me kusht ose rastet e dënimit me burg janë zëvendësuar me gjobë.

Nga 32 dënime të shqiptuara, në 27 raste të analizuara gjyqësore në të cilat janë trajtuar aksidente në punë, vetëm 2 raste kanë qenë me burgim efektiv për shkelësit e ligjit.

Nga këto 27 raste, rezultojnë me ngecje serioze nga organet ndjekëse duke mos dorëzuar kallëzime penale me kohë, anashkalim të dëshmitarëve në vend të ngjarjes – vendpunishte, në vendin në të cilin punëtorët kishin marrë lëndime trupore, e në disa raste me pasoja të përhershme për shëndetin e tyre.

Gjatë këtyre dy viteve, BIRN ka pranuar mbi 300 raportime nga punëtorë dhe sinjalizues që denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Raportin “Viktimat e padrejtësisë” mund ta gjeni në këtë LINK.