Matoshi: Në Kosovë mungojnë investimet në bukuritë natyrore

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar Ujëvarën e Mirushës, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen për realizimin e projektit,” Ndërtimi i shtigjeve për këmbësor dhe biçikleta tek Ujëvara  e Mirushës”, në vlerë financiare  prej  384 mijë euro të financuar nga kjo ministri.

Matoshi tha që në Kosovë nuk ka pasur investime në bukuritë natyrore.

“Është e çuditshme që për gjithë këto vite pas luftës së fundit në Kosovë, nuk kemi pasur investime në vendet dhe bukuritë më të mira natyrore që ka Kosova. Me këtë projekt planifikohet ndërtimi i shtigjeve për këmbësor dhe për biçikleta, do të këtë ulëse për vizitorë, ndriçim dhe gjelbërim”, tha Ministri Matoshi.

Për financimin e këtij projekti, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar Ministrin Matoshi për përkrahjen e dhënë në realizimin e këtij projekti dhe projekteve tjera në Komunën e Klinës, duke thënë se gjatë mandatit të Ministrit Matoshi, komuna e Klinës ka pasur trajtim dinjitoz dhe përkrahje maksimale në fushën e mjedisit.

Vlen të theksojmë se ky projekt është  i paraparë me planin hapësinor  të zonës  së mbrojtur të Mirushës dhe do të zgjasë 2 vite.