Dollc, Kline - Foto: KALLXO.com

Lufta e banorëve të fshatrave të Klinës për ta stopuar ndërtimin e fabrikës së çimentos

Afër 5 mijë qytetarë të Klinës kanë nënshkruar një peticion, i cili kundërshton ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc. Ministria e Mjedisit lëshoi pëlqimet mjedisore ndërsa Komuna e Klinës dha ‘dritën e gjelbër’ për ndërtimin e çimentores.

Një fabrikë që prodhon çimento mund të nisë të ndërtohet së shpejti në fshatin Dollc të Klinës pasi Komuna që drejtohet nga Zenun Elezaj lëshoi edhe dokumentin e fundit, atë të lejes ndërtimore.

Banorët e fshatrave Gremnik, Dresnik, Dollc, por edhe fshatrave të tjerë të Klinës, po e kundërshtojnë çimentoren pasi thonë se ajo ua pamundëson jetesën në shtëpitë e tyre, që nuk janë larg lokacionit të parashikuar për ndërtim.

Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë mblodhën 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion në përpjeke për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës.

Betejën kundër çimentores ata e vazhduan edhe në Kuvendin Komunal të Klinës. Atje gjetën përkrahje nga asamblistët të cilët nxorën vendime që shfuqizonin pëlqimet “që janë dhënë lidhur me guroret për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos”. Por, vendimi i kuvendarëve që daton në mars të vitit 2020 doli të jetë i kundërligjshëm sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal.

E, pas interpretimit që MAPL i kishte bërë vendimit të Kuvendit Komunal, të cilin e konsideroi në kundërshtim me ligjin dhe që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Klinës, ekzekutivi lokal kishte lëshuar lejen për ndërtimin e fabrikës në janar të këtij viti.

Ahmet Gashi, banor i fshatit Gremnik thotë se kjo nuk është përpjekja e parë për ndërtimin e fabrikave që prodhojnë çimento. Një e tillë sipas tij ishte edhe në vitin 2012. Por, edhe atëherë, sikurse tash, banorët e kundërshtuan.

“Në vitin 2019 kanë nisë të jepen pëlqimet mjedisore për gërmime…por, ka gabuar Kuvendi Komunal sepse këtu edhe në të kaluarën është kundërshtuar ndërtimi i fabrikës së çimentos edhe në vitin 2012, Komuna është përballur edhe me seanca gjyqësore ku janë fituar ato seanca. Por, këto nuk janë përfillur dhe operatori ekonomik është pajisur me pëlqime”, thotë Gashi për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai thotë se nga konsultimet me ekspertë, industria e çimentos konsiderohet si ndotësi i dytë në krejt botën.

Shtëpitë ku banojnë qytetarët nuk janë shumë larg lokacionit të paramenduar për ndërtimin e fabrikës. Por, jeta në shtëpitë e tyre, sipas Gashit, do të vështirësohet nëse ndërtohet çimentorja.

“Në rast se ndërtohet këtu një fabrikë e tillë…prej oxhaqeve të saj do të lëshohen disa ndotës e të cilat do ta kontaminojnë ujin, tokën dhe ajrin”, vlerëson banori i fshatit Gremnik.

“Jeta e banorëve, sidomos në rangun e parë, në kilometrërshin e parë, konsiderojmë se bëhet e pabanueshme. Shtëpia ime nuk e kalon një kilometër nga këtu, ndërsa shtëpitë e para nuk janë më larg se 500 metra”, thotë Ahmet Gashi,

Ahmet Gashi – Foto Kallxo.com

Kundër është edhe Josip Dedaj, banor nga fshati Dresnik i Klinës. Ai thotë se nëse nuk stopohet ndërtimi i fabrikës, banorët do të protestojnë duke bllokuar rrugën nacionale Prishtinë-Pejë.

“Ne po presim nga Komuna dhe institucionet tjera që sa më parë ta ndalojnë këtë gjë të keqe, të cilën do ta vuajnë pasardhësit tanë”, thotë Dedaj për “Kallxo Përnime”.

“Unë si qytetar, por edhe të gjithë ata që kanë nënshkruar peticionin, janë në gjendje, dhe kjo me siguri do të ndodh një ditë, që do të ketë edhe protesta, paqësore mendoj dhe me siguri bllokimin e rrugës, magjistralen këtu të ura e Dollcit”, thotë ai.

Kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos është edhe partia opozitare në Klinë, Lëvizja Vetëvendosje.

“LVV është kundër që nga fillimi dhe i përkrahim grupin e qytetarëve që janë kundër kësaj fabrike. Ne duhet të jetojmë në një ambient sa më të pastër e jo ta rëndojmë jetën e qytetarëve”, thotë Zafer Gashi, kryetar i asamblistëve të VV-së në Klinë.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, thotë se vendimi për dhënien e lejes ndërtimore erdhi pasi kompania që synon të investojë u pajis me të gjitha dokumentet tjera nga institucionet qendrore.

Sipas tij, e vetmja rrugë për të ndaluar ndërtimin e fabrikës mbetet që banorët t’i drejtohen organeve qendrore të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit.

“Ajo është një zonë minerare, me dokumente politike është e tillë. Niveli qendror që e ka përgjegjësi vlerësimin e rrezikut, e ka vlerësuar si të tillë. Unë u kam thënë edhe qytetarëve, që e vetmja shpresë mbetet Parlamenti i Kosovës”, thotë Elezaj.

“Është vështirë me vepru, por je në mes të dy proceseve kur kompania është që 10 vite duke kry hulumtime dhe i plotëson të gjitha kërkesat ligjore. Atëherë çka me bë? Ministria e linjës ka thënë se vendimi i Kuvendit Komunal është antiligjor, çka me bë, kë me dëgju?”, thotë i pari i Komunës së Klinës.

Zenun Elezaj, Kryetar i komunës së Klinës – Foto Kallxo.com

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë “Wallingford International – Kosovo” për të marrë një qëndrim rreth deklarimeve kundër të qytetarëve që në zonën e Dollcit të ndërtohet çimentorja. Por, Faton Ismajli, përfaqësues i kësaj kompanie ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në emision.

“Sa i përket dokumentacionit për fabrikën e cementit janë respektuar të gjitha ligjet në fuqi. Kurse për procedurat dhe gjërat tjera ju lutem mund t’i drejtoheni organeve kompetente. Sa i përket pjësmarrjes në emision me gjithë dëshirë do kisha qenë prezent por për arsye të kohës së limituar që e kam në dispozicion nuk mundem të marrë pjesë”, ka thënë Ismajli.

Në emision për të diskutuar rreth kësaj teme janë ftuar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedist, por të njëjtit kanë sugjeruar që t’i drejtohemi Ministrisë së Pushtetit Lokal.

“Pas konsultimeve me Ministritë e linjës dhe identifikimit të ngecjes ju lutem ti drejtoheni Ministrisë së Administratës se Pushtetit Lokal. Rrjedhimisht ecurisë së proceduarave, MMPHI nuk ka çfarë të shtoj për ngecjen e procedurës si më lartë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.

Kompania “Wallingford International – Kosovo” u licencua nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në gusht të vitit 2020. Sipas të dhënave, kompania u licencua në tri zona të Klinës dhe licenca do t’i vlejë deri në vitin 2045.

Sali Mulaj, zëvendësues i drejtorit të KPMM-së thotë për “Kallxo Përnime” se kompania i ka plotësuar të gjitha kushtet prandaj është licencuar. Tutje, Mulaj ka folur edhe për një interpretim që KPMM i ka bërë vendimit të Kuvendit Komunal.

Sali Mulaj – Foto: Kallxo.com

“Sipas të gjitha gjasave e kanë përmend një shembull që ka ndodhur në Kosovë dhe që mund të ta ketë efektin e njëjtë. Për Arbitrazh nuk e di, por në gjykata ka raste kur hiqen licencat”, thotë ai.

Më 27 korrik të vitit 2020, MAPL shpalli të paligjshëm një vendim të Kuvendit Komunal. Këtë vlerësim e kishte bërë Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në vendim ishte përmendur edhe rasti i Telekomit të Kosovës që ishte dërguar në Arbitrazh.

“Unë nuk e besoj që ka qenë një lloj presioni, ka qenë një lloj ngritje e vetëdijesimit. Në disa paragrafe është shpjeguar mirë përgjegjësia e KPMM-së ndërsa në paragrafin që është cekur Telekomi, nuk e di a ka qenë e nevojshme me potencu këtë. Ndoshta nuk do të duhej me u lëshu në atë çështje, por s’e besoj që është përdorur për shantazh”, ka deklaruar Sali Mulaj.

Besim Myrtezani, zëvendës i udhëheqësit të Departamentit Ligjor në MAPL thotë se kjo Ministri bën vlerësim të vendimeve të Kuvendeve Komunale sipas legjislacionit në fuqi.

“Ministria i ka pranu vendimet e Kuvendit Komunal të Klinës dhe ato i ka dërgu në KPMM për vlerësim. Pas vlerësimit, ne raportin e këtij komisioni e kemi dërguar në komunë dhe komuna nuk ka marrë asnjë veprim për anulimin e këtyre vendimeve”, thotë ai.

Besim Myrtezani – Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

“MAPL nuk ka dhënë asnjë mendim, ato janë rekomandime të KPMM-së, ligji na thotë me dërgu ne te ky institucion”, deklaron Murtezani.

Në anën tjetër, Enver Berisha, drejtor për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Klinës ka thënë se ekzekutivi lokal nuk mund t’i zbatojë vedimet nëse ato shpallen të jashtligjshme nga MAPL.

“Një vendim komunal nëse nuk e merr ligjshmërinë nga MAPL për ne është i paligjshëm dhe ne nuk mund ta zbatojmë atë”, thotë ai.