Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Elezaj: Komuna nuk ka mundësi ligjore ta refuzojë lejen ndërtimore për fabrikën e çimentos në Dollc
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj përmes një postimi të gjatë ka treguar se komuna që ai e drejton e ka pasur të pamundur ligjërisht ta refuzojë lejen ndërtimore për fabrikën e çimentos në fshatin Dollc.
Qytetarë të Klinës dhe fshatrave tash e disa herë janë duke protestuar, në kërkim të anulimit të lejes ndërtimore për këtë fabrikë.
Elezaj ka thënë se komuna është vendosur para një akti të kryer nga institucionet qendrore të Kosovës dhe nuk ka pasur mundësi ligjore të refuzojë pajisjen me leje ndërtimore për kompaninë në fjalë.
“Rrjedhimisht ne nuk kemi pasur mundësi ligjore ta refuzojmë lejen ndërtimore për kompaninë”, ka shkruar Elezaj në Facebook.
Ai ka thënë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal(MAPL) ka bërë padi në gjykatën kompetente kundër vendimit të kuvendit komunal.
“Dëgjimi publik si procedurë e parë është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për çka komuna nuk ka qenë përgjegjëse për organizimin e dëgjimit publik. Ministria e Bujqësisë e ka bërë ndërrimin e destinimit nga tokë bujqësore në tokë minerare, pastaj Ministria e Ambientit ka bërë lëshimin e pëlqimeve kundër ndotjeve të ajrit, e KPMM ka bërë lëshimin e licencave për hulumtim dhe shfrytëzim”, ka thënë Elezaj.
Tutje ai ka shtuar se kuvendi i komunës në mënyrë unanime ka marrë një vendim për anulimin e të gjitha pëlqimeve por MAPL dy herë i ka vlerësuar antiligjore këto vendime.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që me ligj bënë mbikëqyrjen e vendimeve të institucioneve lokale, dy herë i ka vlerësuar antiligjore vendimet e kuvendit të komunës për anulimin e pëlqimeve, që si rrjedhojë vendimet e kuvendit janë pa ndonjë efekt juridik. MAPL edhe ka bërë padi në gjykatën kompetente kundër vendimit të kuvendit komunal”, ka thënë ai në Facebook.
Sipas tij të gjitha këto vendime të institucioneve qendrore e kanë sjellur pushtetin lokal para një akti të kryer, sepse kompania në fjalë në momentin e aplikimit për leje ndërtimore i ka plotësuar të gjitha kërkesat të kërkuara sipas ligjit në fuqi.
I pari i komunës së Klinës ka thënë se në ditët në vijim do të kërkoj një takim me kryeministrin e Kosovës si dhe ministrat e linjës, për të diskutuar situatën e krijuar.
Më 25 prill të këtij viti, KALLXO.com raportoi për kundërshtimet që qytetarët e komunës së Klinës po i bëjnë ndërtimit të një fabrike të çimentos që është planifikuar të ndërtohet në Dollc.
Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë duke mbledhur rreth 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion që kundërshtonte ndërtimin e kësaj fabrike.
Lufta e banorëve të fshatrave të Klinës për ta stopuar ndërtimin e fabrikës së çimentos