Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Marrëveshja me Hamasin për lirimin e pengjeve pranë finalizimit

Një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura në territoret palestineze mund të arrihet së shpejti, thuhet në një njoftim të ri. Një marrëveshje e tillë do të mundësonte të paktën një pauzë të përkohshme të luftimeve në Gazë dhe kalimin e ndihmave tepër të nevojshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thonë se marrëveshja nuk është finalizuar ende.

Gazeta “The Washington Post” njofton se Izraeli dhe Hamasi, një organizatë e konsideruar grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, janë tashmë pranë arritjes së një marrëveshjeje, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, për lirimin e dhjetëra personave të marrë peng nga Hamasi, në këmbim të një pauze pesëditore në luftime, që do të mundësonte një rritje domethënëse të ndihmave humanitare.

“Nuk kemi mbaruar. Nuk ka ende një marrëveshje dhe mendoj se do të ishte e nxituar të konkludojmë se (marrëveshja) është e pashmangshme, duke patur parasysh se sa i jemi afruar në të kaluarën. Dhe nuk do të shpjegoj se cilat janë aspektet për të cilat vazhdojnë negociatat. Nuk i negociojmë këto gjëra në publik. Por, është e përparësisë shumë të lartë që kjo të përfundohet. Kanë arritur një lloj progresi dhe shpresojmë se do të finalizohet së shpejti, në mënyrë që njerëzit të kthehen më në fund në shtëpi”, tha për kanalin ABCNews, Jon Finer, zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Ushtria e Izraelit ka bërë sulme të vazhdueshme në Gazë që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor. Rreth 1200 persona u vranë nga ai sulm dhe mendohet se janë marrë peng 240 persona, fati i shumë prej të cilëve nuk dihet ende.

“Kemi shpresën se mund të arrijmë lirimin e një numri domethënës pengjesh gjatë ditëve në vijim. Nuk dua t’i futem detajeve të këtyre bisedimeve. Janë qartësisht shumë delikate. Sa më pak t’i futemi detajeve, aq më të mira janë shanset për një marrëveshje të tillë. Por, përpjekjet janë shumë serioze dhe kam shpresë se do të kemi një marrëveshje në ditët që vijnë”, tha për kanalin ABCNews, Michael Herzog, ambasador i Izraelit në Shtetet e Bashkuara.

Në javët pas 7 tetorit, nga sulmet ajrore izraelite dhe ofensiva tokësore u vranë mbi 12 mijë palestinezë, pjesa më e madhe civilë, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Bregun Perëndimor.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, vlerëson se rreth 900 mijë të zhvendosur janë strehuar në objektet e tyre në mbarë Rripin e Gazës… një numër ky gjashtë herë më i lartë se shifrat e parashikuara në planet e përgatitura për situatat më të rënda të mundshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se objekti më i madh mjekësor i Gazës, Spitali Shifa, është i kontaminuar me mbetje spitalore dhe mbetje të tjera dhe se në territorin e tij gjendet edhe një varr masiv me të paktën 80 trupa.

Një përpjekje rishtazi nga OBSH-ja dhe OKB-ja arriti evakuimin e bebeve të lindura parakohe në një vendndodhje në jug të objektit.

“Shumë prej tyre po mendojnë se si do të sigurojnë nesër jetesën për familjen e tyre. Gjithnjë e më shumë, njerëzit janë tepër të shqetësuar se çfarë do t’iu sjellë e ardhmja. Me çfarë do të jetojnë? Ku do t’i arsimojnë fëmijët e tyre? Si do të jetë e ardhmja? Kjo është pikëpyetja e madhe tani në mendjet e banorëve të Gazës”, thotë Thomas White, drejtor i UNRWA-s në Gazë.

Negociatat vazhdojnë mes Izraelit dhe Hamasit dhe vetëm një pjesë e vogël e ndihmave humanitare kanë arritur deri më tani tek civilët palestinezë të bllokuar nga luftimet.

Për ta, një pauzë në luftime mund të bënte dallimin mes jetës dhe vdekjes dhe mund t’u sillte ndihma jetike nga përtej kufirit./VOA