Lushtaku - Qeverisë: Nuk mbahen qytetarët me një shtesë të fundvitit

Deputeti i PDK -së, Mërgim Lushtaku ka kritikuar sot Qeverinë Kurti për keqmenaxhim, hajni e degradim të institucioneve.

Ai ka folur edhe për vendimin e qeverisë për të ndarë nga 100 euro shtesë për fëmijët dhe pensionistët.

Lushtaku ka thënë se qytetarët nuk mund të mbahen me këto shtesa të fundvitit.

“Nuk mund të mbahen qytetarët me një shtesë të fundvitit vetëm pse nuk ka ditur të sjell projekt të madh që të zvogëloj varfërinë në Kosovë. Ende kemi qytetarë që jetojnë në varfëri të skajshme. I keni pasuru njerëzit e juaj në kurriz të partisë. Ekspertët partiak po paguhen besa edhe me nga 1 mijë euro në ditë”- ka thënë ai.

Gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin 2024, Lushtaku në Kuvend ka thënë se qytetarët po humbin shpresën për të jetuar në Kosovë.

Ndërsa, ka theksuar edhe mungesën e investimeve kapitale.

Lushtaku ka thënë se Qeveria ka harruar skandalet, por sipas tij, kjo qeveri do të ballafaqohet me qytetarët që nuk harrojnë.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, për muajin dhjetor.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për ekzekutimin dhe procedimin e shtesës së njëhershme për fëmijët do të njoftohen me kohë për pranimin e kësaj shtese.

“Pra mjetet nuk ka nevojë që të aplikohet për to, do të kalojnë në llogarinë e prindërve, kryesisht nënave të cilat janë përfituese të shtesave të rregullta” – ka thënë ministri Murati.

Qeveria miraton vendimet për shtesa prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët