Lufta në Ukrainë, dita 23: Zhvillimet e ditës

Lufta në Ukrainë e nisur nga presidenti rus Vladimir Putin, tani është futur në javën e saj të katërt. Trupat ruse kanë dështuar ta marrin Kievin – objektivin kryesor me shpresën e tyre për ta detyruar një zgjidhje ose për t’i diktuar rreshtimet e ardhshme politike të Ukrainës – mirëpo kanë shkaktuar kërdi dhe shkatërrim.

Luftimet kanë bërë që më shumë se 3 milionë njerëz të largohen nga Ukraina. Numri i të vdekurve mbetet i panjohur, megjithëse Ukraina ka thënë se mijëra civilë kanë vdekur.

Ndërkohë, luftimet dhe granatimet intensive vazhduan në pjesë të ndryshme të Ukrainës të premten. 

Presidenti i Ukrainës Zelensky thotë se bombardimet ruse ende po e pengojnë krijimin e korridoreve efektive humanitare nga Mariupol.

Njerëzit që kanë arritur të shpëtojnë ditët e fundit përshkruajnë skena terrori në qytet, i cili është nën bombardimet e vazhdueshme ruse.

Zelensky thotë se 130 njerëz janë shpëtuar nga bodrumi i një teatri që u bombardua atje të mërkurën, por 1,300 të tjerë mbeten të bllokuar.

Presidenti rus Vladimir Putin flet me dhjetëra mijëra rusë në një eveniment duke e festuar tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë.

Sipas kryebashkiakut të Lviv, sot më herët, raketat ruse goditën një fabrikë të mirëmbajtjes së avionëve pranë qytetit perëndimor të Lviv.

Presidenti i SHBA Joe Biden  eparalajmëron Kinën që të mos i japë Rusisë pajisje ushtarake në një telefonatë me presidentin Xi Jinping.

Dy milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni që nga fillimi i luftës, thotë agjencia e Gardës Kufitare polake.

Nëse na jeni bashkangjitur tani, këto janë zhvillimet e ditës në dhe rreth luftës në Ukrainë:

Shpërthime të shumta janë dëgjuar rreth orës 6:30 të mëngjesit me orën lokale në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv. Kryebashkiaku i Lviv Andriy Sadovyi tha se raketat ruse goditën një fabrikë riparimi avionësh, e cila është afër aeroportit të Lviv.

Rusia lëshoi gjashtë raketa drejt qytetit, por dy prej tyre u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore, sipas forcave të armatosura të Ukrainës.

Një person vdiq dhe katër të tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu kur mbetjet e një rakete të rrëzuar goditën një ndërtesë banimi pesëkatëshe në lagjen Podilskyi të Kievit të premten, tha Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës.

Sipas Pavlo Kyrylenko, kreut të administratës rajonale të Donetsk, të paktën dy persona kanë vdekur dhe gjashtë janë plagosur pas një sulmi me raketa në qytetin Kramatorsk në Ukrainën lindore, 

Sipas rrjetit televiziv shtetëror rajonal rus GTRK Kostroma, të paktën pesë ushtarakë rusë, duke përfshirë komandantin e forcave ajrore të Kostroma, vdiqën në betejë në Ukrainë, ditën e enjte.

Nëntë korridore për evakuimin e civilëve nga qytetet dhe qytetet e goditura keq nga sulmet ruse janë dakorduar për të premten, sipas qeverisë ukrainase. Për të dytën ditë me radhë, një nga korridoret e dakorduar e lidh qytetin e rrethuar juglindor të Mariupolit me Zaporizhzhia, i cili mbetet nën kontrollin e Ukrainës.

Një telefonatë mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Joe Biden është zhvilluar sot, e premte. Që nga fillimi i luftës, Kina është përpjekur ta projektojë një qëndrim neutral. Ajo nuk i ka dënuar veprimet ruse dhe ka refuzuar ta etiketojë sulmin rus në Ukrainë si një pushtim. Diplomatët kinezë e kanë kritikuar zgjerimin e NATO-s dhe i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e konfliktit. Mirëpo, ata kanë bërë thirrje edhe për një zgjidhje diplomatike.

Edhe pse jo aleatë ushtarakë, Kina dhe Rusia në vitet e fundit e kanë intensifikuar partneritetin e tyre në tregti, teknologji dhe koordinim të stërvitjeve ushtarake, ndërkohë që janë bërë gjithnjë e më të zëshëm për atë që ata e shohin si ndërhyrje perëndimore në punët e tyre të brendshme – duke i rezistuar sanksioneve të udhëhequra nga SHBA dhe shpesh votimin si bllok në Kombet e Bashkuara.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës dhe diplomacisë amerikane, Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake dhe ekonomike dhe Pekini është shprehur i hapur ndaj kësaj kërkese.  Nuk është ende e qartë nëse Kina synon t’i ofrojë Rusisë atë ndihmë, thonë zyrtarët amerikanë – mirëpo sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden do t’i parashtrojë pasojat e mundshme të një veprimi të tillë gjatë telefonatës me Xi.

Ndërkohë bëhen të ditura edhe bisedat me Biden dhe Xi gjatë telefonatës së përbashkët. Konflikti dhe konfrontimi nuk janë në interesin e askujt, i tha presidenti kinez Xi Jinping, presidentit të SHBA-së Joe Biden ,sipas mediave shtetërore kineze, raporton CNN.

“Marrëdhëniet shtet më shtet nuk mund të shkojnë në fazën e konfrontimit ushtarak. Konflikti dhe konfrontimi nuk janë në interes të askujt. Paqja dhe siguria janë thesaret më të çmuara të komunitetit ndërkombëtar”, citoi CCTV të ketë thënë Xi Jinping në telefonatë.

Të premten, Putini u shfaq në një tubim të madh me flamuj në Moskë dhe i lavdëroi trupat e vendit të tij teksa po e zbatojnë sulmin e tyre në Ukrainë.

Policia e Moskës tha se më shumë se 200,000 njerëz ishin brenda dhe rreth stadiumit Luzhniki për mitingun dhe koncertin që shënonte përvjetorin e tetë të aneksimit të Rusisë të gadishullit të Krimesë, të sekuestruar nga Ukraina.

Në fillim të kësaj jave, Putin i krahasoi kundërshtarët me “mushkonjat” që përpiqen ta dobësojnë Rusinë me urdhër të Perëndimit – komente të ashpra që shtrojnë terrenin për represion gjithëpërfshirës në Rusi kundër atyre që guxojnë të flasin kundër luftës në Ukrainë.

Ikona e filmit Arnold Schwarzenegger u tha rusëve në një video të postuar në mediat sociale të enjten se ata po gënjehen për luftën në Ukrainë. Ai gjithashtu e akuzoi Putinin se ka sakrifikuar jetën e ushtarëve rusë për ambiciet e tij.

Schwarzenegger e postoi videon e tij në Twitter, YouTube dhe Instagram. Ndërkohë që disa nga këto shërbime janë të bllokuara në Rusi, ai gjithashtu e postoi atë në aplikacionin e mesazheve Telegram ku mori më shumë se gjysmë milioni shikime. Video-postimi ishte bërë  me titra në Rusisht./CNN, Associated Press.