Liza Gashi: Që 5 vjet janë paratë që të krijohet aplikacioni për votuesit nga jashtë

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe përfaqësuesja e organizatës joqeveritare që merret me diasporën, Germin, Liza Gashi, në debatin “Kallxo Pernime” ka treguar se që 5 vite KQZ ka buxhetin e ndarë për krijimin e aplikacionit që lehtëson regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës.

“KQZ që disa vite e ka pasë në planprogram një aplikacion për me bo regjistrimin më të shpejtë dhe më efikas, por partitë në pushtet e kanë refuzuar. Ka mbi 5 vjet që aplikacioni është i buxhetuar, por nuk realizohet dhe në të kundërtën KQZ po merr vendim që të shtypë votën jashtë vendit”, tha Gashi në debat.

Sipas saj, me vendimin e KQZ po cenohet e drejta zgjedhore e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Është shumë me rëndësi që vendimi i KQZ cenon të drejtën zgjedhore si të drejtë themelore e cila është e garantuar me Kushtetutë. KQZ në vend që të lehtësojë procesin e votimit nga diaspora ata marrin me vendime”, tha Gashi.

Liza Gashi tha se beson që PZAP do të anulojë vendimin e KQZ-së për verifikimin e votuesve të regjistruar përmes një telefonate.

“Në këtë format, qytetari që regjistrohet me votu ka mundësi të humbë të drejtën e votës. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe besoj që PZAP do ta anulojë këtë vendim”, tha jo.

 

Të ftuar në debatin e sotëm janë: Faton Peci nga Presidenca, Fitore Pacolli nga LVV, Faton Bislimi nga LDK, Ariana Shoshi Musliu nga PDK dhe Liza Gashi, ish zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.