Lista Serbe ka paralajmëruar takim sot për të vendosur nëse do të largohen nga institucionet

Sot është paralajmëruar një takim mes Listës Serbe si dhe zyrtarëve serbë të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga institucionet.

“Nesër do të marrim vendimin tonë dhe masat në konsultim me të gjithë kryetarët e institucioneve që udhëheqin institucionet me theks të veçantë në veri” – shtoi Rakiq.

Ai tha se rasti i suspendimi i Nenad Gjuriqit, pasi dyshohet se ka sabotuar dhe ka bërë thirrje për rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve, ka qenë pika e cila sipas tij “ka mbushur kupën” dhe ka “prishur marrëveshjen e Brukselit”.

“Prishtina po e zbaton me muaj terrorin dhe nuk po mund të durojmë më, këtë e kemi thënë edhe me takimin me Vucic dhe kryetarin e qeverisë dhe nesër do të kemi një takim me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, nuk kemi ende orë të saktë” – shtoi Rakiq në konferencë për media.

Drejtori i suspenduar nga detyra, Nenad Gjuriq, njoftoi në konferencë edhe dorëheqjen e tij nga Policia e Kosovës.

“Nuk dua të jem pjesë e gënjeshtrave, nga sot nuk dëshiroj të jem pjesë e Policisë së Kosovës për shkak se dua të dal ballëhapur me fytyrë të pastër para gjyqit të zotit”- tha Gjuriq.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para dy ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo u bë për arsye se ai po dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i kishte bërë këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencë paralajmëroi nisjen e disa protestave të dielen, për të cilat tha se do të jenë paqësore.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në deklaratën e lëshuar nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit, Ned Price, thuhej se janë të zhgënjyer që Qeveria e Kosovë ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin” – thuhet në reagim.

Të zhgënjyer janë shprehur edhe Bashkimi Evropian. Sipas BE-së, Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE.

Sipas tyre, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.