BE e zhgënjyer me vendimin e qeverisë për targa

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të reja për targat ilegale.

Sipas BE-së, Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE.

Sipas BE-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në komunikatë.

Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.

BE thonë se është zhgënjyese të shohësh se Kosova nuk ndoqi këshillën e partnerëve për periudhë më të gjatë tranzicioni.

“Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur” – thuhet nga BE.

Tutje, BE potencon se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës”.

BE për fund është shprehur se presin angazhim nga dy palët për gjetje të një zgjidhje, pa vonesa në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut” – thuhet në reagimin e tyre.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti para anëtarëve të qeverisë të premten.

Derisa, sot Kurti përmes Twitter shkroi se per vendimin për këto targa, partnerët ndërkombëtarë konfirmojnë se është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.

 

Kurti: Vendimi për targa në përputhje me marrëveshjen e Brukselit