Lindita Nikolla: Escobar tha se SHBA-ja është vendi më prokosovar në botë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka thënë se gjatë takimit që ka zhvilluar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ai i ka thënë se SHBA-ja është vendi më prokosovar në botë.

“Z.Escobar e cilësoi SHBA-në si vendi më prokosovar në botë dhe theksoi se është e vendosur për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Kosovës dhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare”- ka shkruar ajo në Facebook.

Nikolla tutje ka thënë se SHBA-ja ka dënuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe “njohin përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt”.

Sipas saj, marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje strategjike dhe duhet punuar për zbatimin e saj.

“SHBA-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja, po punojnë për njohjen e saj edhe nga pesë shtetet e BE që nuk e kanë njohur dhe po ndërtojnë një fushatë njohjesh globale për Kosovën. Dialogu Kosovë-Serbi është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë në rajon”- ka shtuar ajo.

Ndërsa ka theksuar se me Esocbarin kanë diskutuar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

“Partneriteti ynë strategjik është konkretizuar në bashkëpunimin e shkëlqyer në KS të OKB dhe do të jetë i tillë edhe në KDNj. SHBA-të dëshirojnë ta kenë Shqipërinë partnere dhe mbështesin aplikimin e saj në sa më shumë organizata ndërkombëtare.

Ajo ka njoftuar se kanë diskutuar mbi ecurinë e reformave demokratizuese dhe integruese dhe mbështetjen e Kuvendit për avancimin e tyre.