Nicolas Maduro në bordin e USS Iwo Jima. Fotografia: Faqja e Shtëpisë së Bardhë në Facebook
Ligjshmëria e kapjes së Maduros nga ShBA në fokus të Kombeve të Bashkuara
Ligjshmëria e kapjes amerikane e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, do të jetë në fokus të Kombeve të Bashkuara të hënën (05.01.2025), por Uashingtoni nuk pritet të përballet me kritika të forta prej aleatëve lidhur me operacionin e tij ushtarak në shtetin e Amerikës Latine, raporton Reuters.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që ka 15 anëtarë, do të mblidhet të hënën pasi Forcat Speciale amerikane kapën Maduron në një operacion të shtunën duke e rrëzuar nga pushteti dhe duke sulmuar pikat ushtarake kritike.
Autoritetet venezuelase kanë thënë sulmet ishin edhe vdekjeprurëse. Maduro tani është në paraburgim në Nju Jork në pritje që të dalë para gjykatës të hënën i akuzuar për drogë.
Rusia, Kina dhe aleatë të tjerë venezuelas kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por aleatët e SHBA-së – shumë prej të cilëve e kundërshtuan Maduron – janë treguar më pak të zëshëm lidhur me çfarëdo shqetësimi kur vjen puna te përdorimi i forcës ushtarake.
“Duke gjykuar nga reagimet e liderëve europianë deri më sot, dyshoj se aleatët e SHBA-së do të flasin shkëlqyeshëm me gjuhë të dykuptimshme në Këshillin e Sigurimit”, ka theksuar Richard Goëan, drejtor i çështjeve globale dhe institucioneve në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë kërkimore.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e sheh operacionin e SHBA-së si vendosje të “një precedenti të rrezikshëm”, ka thënë zëdhënësi i tij të shtunën. Shumë ekspertë ligjorë thonë gjithashtu se veprimi i SHBA-së ishte i paligjshëm, megjithëse Uashingtoni do të jetë në gjendje të bllokojë çdo përpjekje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta mbajtur përgjegjës.
SHBA-ja i referohet vetëmbrojtjes
Pas operacionit të SHBA-së, shtetet europiane kanë bërë thirrje kryesisht për respektimin e së drejtës ndërkombëtare pa e kritikuar posaçërisht Uashingtonin, megjithëse ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, ka deklaruar se SHBA-ja ka shkelur “parimin e mospërdorimit të forcës, që është në themel të së drejtës ndërkombëtare”.
Karta e OKB-së thotë se anëtarët “duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”. Aktualisht, Kombet e Bashkuara kanë 193 shtete anëtare.
Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, ka cituar të dielën Nenin 51 të Kartës së OKB-së, i cili thotë se asgjë “nuk duhet të cenojë të drejtën e lindur të vetëmbrojtjes individuale ose kolektive nëse ndodh një sulm i armatosur kundër një anëtari të Kombeve të Bashkuara”.
“Në këtë rast, keni një bos droge, një udhëheqës të paligjshëm të akuzuar në Shtetet e Bashkuara, i cili koordinohet me vende si Kina, Rusia, Irani, grupe terroriste si ‘Hezbollahu’, duke transportuar drogë, banditë dhe armë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërcënuar të pushtojë fqinjët e saj”, ka deklaruar ai për Fox Nessin.
Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se operacioni amerikan ishte i paligjshëm, pasi i mungonte autorizimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk pati pëlqimin e Venezuelës dhe nuk përbën vetëmbrojtje kundër një sulmi të armatosur.
“Veprimi shkeli të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Tom Dannenbaum, profesor në Fakultetin Juridik të Stanfordit. “Kundërshtimet serioze ligjore ndaj regjimit të Maduros nuk e eliminojnë nevojën për një bazë ligjore për të përdorur forcën ushtarake në Venezuelë”.
Vetoja, mburojë për Uashingtonin
Por Uashingtoni nuk mund të mbahet përgjegjës për asnjë shkelje nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. SHBA-ja ka të drejtë vetoje – së bashku me Rusinë, Kinën, Britaninë dhe Francën – kështu që mund të bllokojnë veprimet.
Maduro u akuzua në vitin 2020 nga SHBA-ja edhe për konspiracionin e narkoterrorizmit. Ai gjithmonë i ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirje kriminale.
“Edhe nëse Maduro do të ishte përgjegjës për kontrabandën e disa drogave në SHBA, një kontrabandë e tillë droge nuk përbën sulm të armatosur dhe nuk autorizon SHBA-në të përdorë forcën në vetëmbrojtje”, ka theksuar Milena Sterio, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Clevelandit.
Ajo ka theksuar njashtu se Uashingtoni “nuk mund të ushtrojë juridiksion jashtëterritorial për të arrestuar individë kudo që dëshiron”.
Adil Haque, profesor në Shkollën e Drejtësisë Rutgers, ka thënë gjithashtu se kapja e Maduros nga SHBA-ja “ishte shkelje e paligjshme e paprekshmërisë dhe imunitetit të një Kryetari Shteti në detyrë, i cili mund të mos ketë legjitimitet demokratik, por që në mënyrë të qartë po kryente në mënyrë efektive funksionet e tij zyrtare në emër të Shtetit të tij”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com