Ilustrim - Pika kufitare në Merdarë, Foto: KALLXO.com

Ligji për të Huajt dhe Automjetet, shefi i OSBE-së: Urime kryeministri Kurti, Sorensen dhe Orav

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka reaguar pasi Kosova u pajtua që Ligji për të Huajt të nisë zbatimin “me disa masa përmbajtësore shtesë”.

Institucionet e vendit kishin paralajmëruar nisjen e zbatimit strikt të dy ligjeve, Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga data 15.03.2026.

“Përshëndes marrëveshjen për zbatimin e ardhshëm të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet – një hap i rëndësishëm përpara në adresimin e një çështjeje praktike që prek jetën e përditshme të njerëzve. Urime Kryeministrit Kurti, Përfaqësuesit Special të BE-së Peter Sørensen dhe Ambasadorit Aivo Orav për lidershipin dhe angazhimin e tyre.” – thuhet në reagimin e shefit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

Sot, kryeministri Albin Kurti dhe emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, treguan se janë pajtuar që zbatimi i ligjeve të nisë, por me disa masa shtesë.

Ndaj këtij zhvillimi ka reaguar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas. Ajo paralajmëroi edhe një takim të nivelit të lartë në dialogun Kosovë–Serbi.

“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd–Prishtinë dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti” – deklaroi në rrjetin social “X”, Kaja Kallas.

Orav: Kemi pasur pajtim për zbatimin e Ligjit për të Huajt, me disa masa shtesë