LDK shpreh ngushëllime për viktimat nga tërmeti në Shqipëri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i ka shprehë ngushëllime popullit dhe shtetit shqiptar për viktimat e tërmetit të sotëm në afërsi të Durrësit.

Përmes një komunikate LDK thotë se  të gjithë qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë dhimbjen dhe solidarizohen me qytetarët e Shqipërisë në këto momente traumatike.

“Viktimat dhe familjet e tyre do jenë në lutjet tona. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kosovare që urgjentisht të mobilizojnë përkrahje për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.

Sipas mediave shqiptare, deri më tani raportohet për 7 të vdekur nga tërmetet.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptare, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për zhvillimet në Shqipëri.

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri