LDK: Presim që në vjeshtë të kemi situatë të re politike

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është deklaruar pasi seanca e fundit e sesionit pranveror në Kuvendit të Kosovës, u mbyll në mungesë të kuorumit.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se ky sesion sipas tij është karakterizuar me paaftësi, shkelje kushtetuese e skandale.

“Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia por tashmë jo vetëm nga paaftësia por nga kapja e shtetit, nga shkeljet kushtetuese, me skandale që kanë të bëjnë si ato me atë të vajit e të “Zdravo”, karakterizohet me kapje institucionale”- ka thënë Gashi.

Deputeti i LDK-së u shpreh se Kosova nuk mund ta përballojë këtë qeverisje, teksa shtoi se pret që në vjeshtë të ketë një situatë të re.

“Kosova nuk mundet me përballu një qeverisje të tillë dhe nuk duhet ta përballojë. Paaftësia e menaxhimit me Kuvendit, e me Qeverinë, krimi, korrupsioni e shkeljet kushtetuese, prishja e marrëdhënieve ndërkombëtare janë dëme të mëdha pra ne presim që në vjeshtë të kemi një situatë të re”- tha ai.

Për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë, Gashi tha se duhet që edhe pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje të votojnë pro mocionit, përndryshe siç tha ai “është e pamundur”.

“Do shohim se a do të ketë brum brenda edhe Vetëvendosjes në vjeshtë që do të dalin dhe të votojnë në një mocion për të rrëzuar qeverinë, përndryshe është e pamundur, duhet me pasë edhe njerëz nga LVV për rrëzim të Qeverisë”- tha Gashi.

Më tej, ai ta se mënyra se si është mbyllur sesioni, sipas tij është shkelje procedurale, demokratike e kushtetuese dhe se siç tha Gashi, vetë shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u kishte premtuar se në seancën e sotme do të kishte kuorum.

“Mënyra se si u mbyll sesioni duke ua pamundësuar deputetëve që të deklarohen për çështjet me interes në ditën e fundit të sesionit është një shkelje procedurale, demokratike dhe kushtetuese. Kishte indicie që nuk do të ketë kuorum. Shumica do ti këtë 61 deputetë në sallë ka thënë shefja e grupit parlamentar të LVV-së. Ka pas një ide që sot të diskutohet për audio incizimet me Radojciqin”- theksoi deputeti.

Një pjesë e madhe e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje por edhe disa nga partitë opozitare, nuk morën pjesë në seancën e fundit të sesionit pranveror.

Mungesa e madhe e ligjvënësve pamundësoi kuorumin që të mbahej seanca që ishte planifikuar për sot, dhe për këtë arsye nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka mbyllur punimet e mbledhjes së sotme.

Mungesa e kuorumit, Kuvendi mbyll punimet e sesionit pranveror