LDK kërkon angazhimin e institucioneve të rendit për vënien para drejtësisë të sulmuesve të Valon Sylës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Abdixhiku, sipas komunikatës së LDK-së, ka kërkuar angazhimin e institucioneve të rendit për vënien para drejtësisë të sulmuesve.

“Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë –  shtylla thelbësore të vet demokracisë. Angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit. Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi. Ftoj organit e rendit dhe drejtësisë të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë” – ka thënë Abdixhiku.

Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla është sulmuar mbrëmë nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Organet e drejtësisë e forcat e rendit në raportimet e ditës së sotme njoftuan se ende nuk ka ndonjë të arrestuar për sulmin që ka ndodhur mbrëmë ndaj gazetarit Valon Syla.

Ndonëse edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e edhe Policia e Kosovës thanë se janë duke i kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Kjo e para ka treguar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar lëndim i lehtë trupor.

Tutje u tha se në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.

Përderisa në raportin 24-orësh policor është thënë se dje rreth orës 22:29 në rrugën ‘Ilir Durmishi’ ka ndodhur sulmi ndaj gazetarit Syla.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore” – ka thënë Policia.

Në anën tjetër, Syla në një intervistë ka thënë se personat që e sulmuan atë janë ‘islamikë fanatikë’.

“Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu, shpejt shpejtë ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV Dukagjin.

Në anën tjetër, raportimi i Gazetës Metro tregon se gazetari Syla është sulmuar pas përfundimit të emisioni “Pressing” në Televizionin 7 ku ai kishte qenë i ftuar.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit.

Sot kryeministri Albin Kurti reagoi duke dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Kurti tha se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.

Sulmohet gazetari Valon Syla