Foto: KALLXO.com

Lajçak arrin në Qeveri për t'u takuar me Bislimin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Ai do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Sipas një komunikate për media, Bislimi dhe Lajçak do të diskutojnë për ecjen përpara në aspektin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike e cila u dakordua mes palëve më 27.02.2023.

I pranishëm në takim është edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Vizita e Lajçak vie një javë pasi ai u takua me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, më 27.02.2024 në Bruskel, për të diskutuar për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron si valutë të vetme në vend.

Takimin në Bruksel e kishte refuzuar kryenegociatori Bislimi, i cili pati deklaruar se Lajçak me këtë ftesë “ka shkelur parimet që i ka vendosur vetë”, dhe se sipas zëvendëskryeministrit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.