Ky është vendimi i PZAP-së rreth kërkesës së VV-së për 392 pakot me vota nga diaspora

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të numëruar 392 pakot me fletëvotime të ardhura me postë nga diaspora, e të cilat kanë arritur në KQZ më 12 nëntor.

PZAP përmes një njoftimi ka thënë se këtë vendim e ka marrë në seancën e mbajtur sot, ku ka shqyrtuar gjithsej 14 ankesa, përfshirë këtu edhe të VV-së.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në seancën e mbajtur me datë 24.11.2019, ka shqyrtuar gjithsejtë 14 ankesa prej tyre një ankesë e paraqitur me datën 22.11.2019 nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, me të cilin ka kërkuar që të urdhërohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 392, pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës dhe 13 ankesa të cilat kanë të bëjnë pretendimet me administrimin dhe rinumërimin e Vendvotimeve ne Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve – QNR”, thuhet në njoftimin e PZAP.

Sipas PZAP-së, prej këtyre 13 ankesave 3 i ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje dhe 10 ankesa i ka paraqitur koalicioni Nisma AKR – PD.

“Ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje: Anr.507/2019 e datës 22.11.2019 HUDHET e palejueshme. Ndërsa ankesat lidhur me administrimin dhe rinumërimin e Vendvotimeve në Qendrën Numërimit dhe Rezultateve – QNR janë vendosur si në vijim: 5 ankesa janë pranuar të bazuara, 1 ankese është pranuar pjesërisht e bazuar, 6 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe, 1 ankesë është hudhur e pasafatshme”, ka thënë PZAP.

PZAP ka shtuar se nuk ka ankesa të pavendosura që do të thotë se PZAP-i ka shqyrtuar dhe vendosur brenda afatit ligjor te gjitha ankesat e pranuara.

Ndërkaq dje është njoftuar se më 12 nëntor, në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora dhe KQZ-ja kishte thënë se është njoftuar PZAP-ja.

Ndërkohë, sot ka përfunduar procesi i rinumërimit të mbi 1400 votave në QNR, pas vendimit të PZAP-së dhe KQZ ka njoftuar se rezultatet finale do të bëhen publike më së largu deri nesër.

Nisma: Përfundoi rinumërimi, jemi pjesë e Kuvendit

www.kallxo.com