Nisma: Përfundoi rinumërimi, jemi pjesë e Kuvendit

Koalicioni NISMA-AKR-PD ka thënë se procesi i rinumërimit ka përfunduar në QNR dhe se në bazë të këtij procesi ata janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Nisma përmes një njoftimi, ku ka thënë se e kanë kaluar pragun për 30 vota.

“Partia e Fatmir Limajt ka arritur jo vetëm ta ruajë këtë rezultat, por ta rris në 30 vota mbi prag dhe kështu pas rinumërimit NISMA edhe zyrtarisht do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Ata kanë shtuar se Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj dhe Mirlinda Sopi do të jenë deputetët e këtij koalicioni në legjislaturën e re.

KALLXO.com ka kontakuar edhe zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi për të marrë një konfirmin nëse ka përfunduar ky proces, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Procesi i rinumërimt të 1.407 vendvotimeve ka nisur të mërkurën e kaluar pasdite pas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa. KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ia ka refuzuar.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.