Kuvendi nesër me seancë të jashtëzakonshme lidhur me rritjen e çmimeve

Nesër (e martë) duke filluar në orën 11:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme me një pikë rendi të ditës që është debat parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve.

Këtë e ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila tha se në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit mori disa vendime që janë obligime kushtetuese ose kompetencë e tij.

“Kemi një kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës për debat parlamentar i cili mbahet nesër në ora 11:00 për rritje të çmimeve dhe situatën aktuale të krijuar. Ndërsa kryetari i Kuvendit caktoi seancën tjetër ditën e mërkurë e cila do të përfshijë vazhdimin e trajtimit të pikave të pa përmbyllura nga seancat e më hershme”, ka njoftuar Kusari Lila.

Për një seancë të re të rregullt, Kusari Lila tha se mbetet të shihet në mbledhjen e radhës së kryesisë së Kuvendit.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në emër të opozitës e ka thirrur këtë debat parlamentar.

“Duke parë gjendjen e rëndë me çmime, ne keni propozuar disa iniciativa sic është cështja e trustit, shumë e nevojshme që qytetarët e Kosovës të arrijnë të marrin një pjesë të trustit që të përballen me gjendjen e rëndë me këtë rritje të çmimeve”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Një ndër pikat që ajo ka propozuar në mbledhjen e kryesisë është edhe rregullimi i çmimeve të produketeve medicinale.

“Si pikë e dytë ka qenë rregullimi i çmimeve të produkteve medicinale, e kemi konsideruar si të nevojshme të sjellim projektligjin për  rregullimin e çmimit të barnave që është mirëpritur nga komiteti farmaceutik në Kosovë, që lehtëson përballjen e qytetarëve me çmime të larta në vend“, ka thënë Deliu Kodra.

Deputetja e PDK-së gjithashtu shtoi se e kanë parë të arsyeshme të thirret  një debat në lidhje me politikën e jashtme e cila siç ka thënë ajo “është në gjendjen më të rëndë që Kosova e ka pasur ndonjëherë”.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se në fund të debatit do të prezantojnë një rezolutë në mënyrë që të nxirren detyra të qarta për Qeverinë e Kosovës.

“Me iniciativën e LDK mbështetur nga opozita, ka një rritje të çmimeve bazike dhe kemi kërku një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar këtë problem dhe në fund do të propozojmë nje rezolutë të Kuvendit të Kosovës i cili do të duhet të miratonte, në mënyrë që do të nxjerrtë obligime konkrete dhe detyra të qarta për Qeverinë e Kosovës sepse jemi dëshmitar që Qeveria është shëndruar si spektatore”, ka thënë Selmanaj.

“Nesër do të mbahet në ora 11 dhe shpresojmë dhe besojmë të ketë refleksion edhe nga ana e partive politike në pushtet në mënyrë që të miratojmë këtë rezolutë dhe të ju dalim në ndihmë qytetarëve”, ka shtuar ai.

Selamanaj ka komentuar edhe dështimin e mbajtjes së mbledhjes së kryesisë pasi nuk kishte kuorum.

“Si ndodh që një shumicë kaq e madhe parlamentare të lejojë që rrjedha e Kuvendit të ngecë kaq shumë. Pesë seanca të pa përfunduara, afër dyzet pika e projektligje të caktuara pa epilog. Kjo flet për një qasje të pa përgjegjshme në radhë të parë nga partitë në pushtet dhe nga të gjithë deputetët, por barra kryesore bie në shumicën parlamentare”, ka deklaruar Selmanaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë se këto pika që po zvarriten prej një seance në tjetrën kalojnë me një shumicë të thjeshtë.

“Kryetari me iniciativen e tij meqenëse ka kompetenca e ka caktuar një seancë të radhës e cila është vazhdim i seancave të pa përfunduara . Kjo Qeveri e ka shumicën absolute  dhe gjitha këto projektligje dhe pika që kanë mbetur e që po zvarriten prej një seance në tjetrën, janë pika që kalojnë me shumicë të thjeshtë”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo gjithashtu tha se çështje e rëndësishme edhe ajo e sigurisë duke shtuar se Qeveria ende nuk ka sjellur një strategji nacionale për sigurinë.

“Një debat që është i rëndësishëm është edhe ai i sigurië. E dini se në çfarë gjendje jemi dhe kjo Qeveri ende nuk na ka sjellur një strategji nacionale për sigurinë por do të debatojmë në Kuvend edhe në seancën e radhës”, tha Kadrijaj.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, Kosova po përballet me rritje të çmimeve të produkteve esenciale.

Pas rritjes enorme të çmimit të vajit, javën e kaluarjanë mbyllur dy depo të dy marketeve në Kosovë,  gjatë një aksioni nga ana e  Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës. Në depot e inspektuara u gjetën 100 mijë shishe vaj.