Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton Projektligjin për bujqësi dhe zhvillim rural

Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Para deputetëve këtë Projektligj e ka prezantuar Faton Peci, ministër i Bujqësisë.

“Ky Projektligj ka për synim zbatimin e objektivave të cilat përmbajnë qasje në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më efikas të legjislacionit në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat ndërkombëtare”, tha ai.

Peci po ashtu shtoi se ky projektligj tregon vendosmërinë e plotë të qeverisë së Kosovës për të vendosur ligjshmërinë në ministrinë e Bujqësisë.

“Ky projektligj përcakton zbatimin e politikave kombëtare për bujqësi dhe zhvillim rural, zbatimin dhe masat e politikave bujqësore, bazën e të dhënave, regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi. Ky veprim i ndërmarrë legjislativ është në vijë të plotë me përkushtimin e qeverisë së Kosovës për vendosje të ligjshmërisë”, tha ai.

Edhe Komisioni për Bujqësi i Kuvendi të Kosovës rekomandoi që në parim të miratohet ky Projektligj.

Më 10 nëntor, ky Projektligj ishte miratuar nga kabineti qeveritar.

Miratohet Projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Qeveri

Me anë të këtij Projektligji pritet të rregullohen shumë çështje që kanë të bëjnë me bujqësinë, duke përfshirë pagesat direkte për bujqit, masat direkte për organizimin e tregut, masat e zhvillimit rural, financimin, përfituesit, si dhe çështje që kanë të bëjnë me rolin e agjencive, organizatat e prodhuesve, shitjen e produkteve bujqësore.