Ilustrim
Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë të jashtëzakonshme për situatën në shëndetësi
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme më 29.02.2024 në ora 10:00.
Sipas njoftimit, në rend të ditës është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.
Propozimi për këtë seancë ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Më 29.01.2024, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media tregoi se kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për shëndetësinë dhe sigurimet shëndetësore.
“Është gjendje e mjerueshme në shëndetësi. Vazhdojnë të jenë problemet e njëjta në shëndetësi, me listën e barnave esenciale në SHSKUK, infrastrukturën në shëndetësi si dhe ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit. Në shëndetësi ka mangësi ligjore, qeverisja edhe pse ka shumicën parlamentare po vazhdon të prolongojë ligjet bazike në shëndetësi, arsim e shoqëri dhe vazhdohet puna pa strategji në shëndetësi. Qe katër vite po punojmë pa strategji e me veprime ad hoc”- deklaroi Dreshaj.
Një 4-vjeçare, që raportohet t’i përkasë një komuniteti etnikisht të margjinalizuar në Kosovë, ka vdekur më 19.02.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte transferuar nga Spitali i Gjakovës. Ndërkaq, trajtimin fillestar e kishte marrë në Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Vdekja e 4-vjeçares është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Rasti është iniciuar si hetim i vdekjes, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Inspektorati Shëndetësor ka thënë se ka bërë inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me këtë rast.
Lidhur me këtë rast, kanë reaguar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe shoqëria civile, të cilët janë shprehur të shqetësuar për trajtimin shëndetësor që i është ofruar viktimës dhe kanë kërkuar hetimin e rastit.
PRAK ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim johuman.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.
Lidhur me vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, më 26.02.2024 kanë raportuar para Komisionit parlamentar për shëndetësinë dhe para Komisionit për të drejtat e njeriut.