Drejtori i IKShPK-së kërkon nga gazetarët të mbajnë distancë 2 metra nga ai

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani në një konferencë për media, bashkë me presidentin Hashim Thaçi ka kërkuar nga gazetarët e pranishëm që të mbajnë distancë fizike me të, ndonëse vet ai dhe presidenti qëndronin shumë afër njëri-tjetrit.

Ramadani tha se kanë rekomanduar qytetarët që  t’i përmbahen strikt rekomandimeve në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë nga coronavirusi.

“Duke mbajtur distancë së pari dy metra, që nuk po e shoh këtu dhe po më pengon shumë sepse jam i rrezikuar. Unë nuk kam forcë ekzekutive, unë kam forcë profesionale. Nëse ju nuk më dëgjoni mua as qytetarët nuk mund të më dëgjojnë. Prandaj largohuni pak në mënyrë që të jem më i shlir të marr frymë sepse jam i rrezikuar nga dikush që mund të jetë bartës potencial”, tha ai.

Ramadani në fund nuk i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse e përkrahë propozimin e presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë të martën në mbrëmje i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si masë ekstreme dhe të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Për t’u miratuar, propozimit të presidentit i duhen dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.