Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Kuvendi e miraton vendimin e qeverisë për ‘masat e emergjencës për furnizimin e energjisë’

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një mocioni ka kërkuar që të hyj në votim vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë.

Për këtë vendim, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme kishte debat disa orësh dhe nuk ka arritur të kaloj shkaku i kuorumit.

Me 57 vota për asnjë kundër dhe 17 abstenime Kuvendi sot e ka miratuar këtë vendim.

Mimoza Kusari- Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së, tha se  vendimi i cili nuk u hodh dje në votim ka afat deri të premten të votohet.

“E kemi vendimin i cili nuk u hodh në votim sot i seancës së jashtëzakonshme të mbajtur dje vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë, unë doja të propozoja që aktualisht të votojmë dhe procedojmë e votimin e këtij vendimi i cili ka afatin deri të premten”, tha ajo.

Grupet opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë seancës së djeshme e kishin lëshuar sallën për ta votuar këtë vendim për shkak të mungesës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Ndërsa, sot opozita e ka mundësuar votimin e këtij vendimi duke mbështetur mocionin e kërkuar nga LVV.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së tha se nuk do ta bllokojnë procesin por nuk do të marrin pjesë në votim. Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së tha se si PDK nuk mund ta votojnë këtë vendim pasi kanë kërkuar të largohet një pjesë e këtij vendimi.

“E kemi kërkuar largimin e kufizimeve të energjisë elektrike për konsumator e për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së tha se vendimin e qeverisë e shohin si vendim që nuk ka efekte në teren. Andaj sipas tij do të abstenojnë në votim.

Gjatë seancës së djeshme ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka prezantuar para deputetëve propozimin për marrjen e masave të emergjencës dhe tha se qeveria autorizohet përmes ligjit për energjinë, neni 25 që të shpall masat e emergjencës në furnizim me energji.