Mungesa e kryeministrit Kurti, opozita lëshon seancën

Për shkak të mungesës së kryeministrit Albin Kurti në seancën parlamentare, opozita është larguar nga salla.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Kurti e vlerëson të parëndësishëm faktin që më shumë se gjysma e vendit është në terr.

Ai tha se do të largohen nga seanca deri në pikën e radhës.

“Në qoftë se kryeministri i vendit e quan të parëndësishme me marrë pjesë në këtë seancë, në qoftë se deputetët e pushtetit sillen në këtë formë me deputetët e opozitës, atëherë ne deklarojmë që largohemi nga seanca deri në pikën e radhës”, tha Gashi.

Në lidhje me largimin e deputetëve nga salla, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se vetëm këtu ndodh që një grup parlamentar të lëshojë sallën.

“Është shumë e çuditshme dhe shumë interesante që një subjekt parlamentar që është PDK thërret konferencë për media dhe kërkon që të merren hapa për ta shpallë gjendjen emergjente në energji dhe kur vendimi vjen në Kuvend nuk votojnë”, tha Murati.

Largimi i deputetëve ndodhi pasi Hekuran Murati tha se kryeministri është këtu për të dhënë llogari sa herë që ka nevojë.

“Sa herë që është e nevojshme ka qenë këtu dhe është përgjigjur në pyetjet parlamentare. Ndërkaq sa i përket juve si deputetë, sidomos kryetarët e subjekteve, duhet të jenë këtu, për shkak se ata paguhen për të qenë këtu”, tha Murati.

Mirëpo seanca ka vazhduar me deputetët e Vetëvendosjes dhe disa deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës.