Kush janë tre avokatë shqiptarë nga Kosova që u paguan nga Serbia për të mbrojtur të dyshuarit për kontrabandë

Në mesin e dosjeve që u arkivuan nga punëtorët e strukturave paralele serbe në Komunën e Leposaviqit u gjetën edhe emra të avokatëve shqiptar. Këta avokatë, për të mbrojtur disa klientë serb të Kosovës në disa procese të ndryshme gjyqësore u paguan nga Qeveria e Serbisë.

Tre avokatët, Asdren Hoxha, Faruk Korenica e edhe Shyqyri Syla, që deri para një kohe mbante edhe pozitën e kryeprokurorit të Mitrovicës, morën me mijëra dinarë serb që rrodhën nga Qeveria e Serbisë, qeveri e vendit që nuk e njeh Kosovën.

KALLXO.com para disa ditëve pranoi disa informacione nga disa punëtor serb që mbajnë pozita në Komunën e Leposaviqit, asaj të ligjshmes, që brenda objektit të kësaj komune ka me qindra dosje që dëshmojnë pa rregullsi e keqpërdorime që ndodhën tash e disa vite.

Me një kërkesë për qasje në dokumente publike, ekipi i KALLXO.com arriti që të hyjë brenda objektit të kësaj komune e të shpalosë me radhë dosje të shumta të lëshuara nga institucionet e Kosovës, ato paralele të Serbisë në Kosovë e po ashtu edhe dokumente të vet Qeverisë së Serbisë.

Këto dokumente e detaje të shumta se si e çka ndodhi u transmetuan në emisionin e sotëm të Kallxo Përnime, “Pagat nga Serbia”.

Dokumentet që u prezantuan dëshmojnë se Hoxha, Korenica e Syla përmes procedurave pothuajse të njëjta arritën që të fitojnë shuma të mëdha të parave që u lëshuan me vendim të shefit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në mesin e dosjeve në emër të avokatëve u gjetën fatura të postave, vendime të nënshkruara nga ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq e nga zyrtarë të qeverisë serbe.

Këto dokumente, të shkruajtura në gjuhën serbe, u vulosën e u nënshkruan nga avokatët shqiptar.

Dosjet që ekipi i KALLXO.com i hulumtoi zbardhin se si disa prej faturave fillimisht u dorëzuan në Graçanicë, e më pas përmes postës kaluan edhe në strukturën paralele serbe në Komunën e Leposaviqit.

Në mesin e këtyre dokumenteve u gjetën edhe fotografi të avokatëve, e xhirollogari bankare të kontove ku u derdhën paratë e Qeverisë së Serbisë për tre avokatët e mirë-paguar të Kosovës.

Të gjitha dokumentet e arkivuar, po ashtu u ruajtën edhe në folder të cilët po ashtu u blen në Serbi, në një kompani në qytetin e Novi Sad.

Avokatët në fjalë, u kontaktuan nga ekipi. Hoxha u shpreh i pa-interesuar të komentoj këtë situatë, përderisa Syla e dha arsyetimin e tij e Korenica tha se nuk i intereson prej kujt janë parat, derisa klientit që po ia kryen shërbimet e paguan atë.

Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, KALLXO.com kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.

Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Depratamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës” – tha për KALLXO.com zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë.