Kusari-Lila: Vendimi për Klan Kosovën nuk është arbitrar

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, lidhur me rastin e Klan Kosovës, ka deklaruar se përgjegjësia, sipas saj, qëndron tek zyrtari i ARBK-së që ka pranuar dokumentacionin dhe të atyre që i kanë dorëzuar.

Kusari – Lila ka thënë se nuk është vendim arbitrar. Ajo shtoi se mediumi ka afat 30 ditor për “të argumentuar se si qytetet e Kosovës përfundojnë në certifikatën e regjistrimit të biznesit në shtetin Serbi”.

“Sipas informacioneve që kam, ato që janë edhe publike, nuk kemi të bëjmë me pezullim të licensës por të regjistrimit të biznesit. Sipas argumentimit që ka prezantu ministria ka të bëjë me dokumentacionin bazë. Në kuadër të të njëjtit, Ligji për Shoqëri Tregtare, parasheh se secila shoqëri tregtare që regjistrohet në kuadër të Ministrisë është e obliguar t’i përditësojë të dhënat e regjistruar në regjistër”- tha pas mbledhjes së Kryesisë.

“Në arsyetimin e Ministrisë është që, është kërku fillimisht llogari nga zyrtarët e ARBK-së, pra ministria përgjegjësinë e ka kërku brenda zyrëve të veta, e dyta, përditësimi ka të bëjë me bizneset që janë një periudhë të gjatë kohore. Regjistrimi në fjalë daton viti 2020, nuk flasim për një regjistrim  shumë të vjetër, flasim për ndryshim të aksionarëve. Nuk flasim për ndonjë adresë gabim por denominim të shtetit, gjegjësisht emërtim të vendit, ne e dimë që as Peja as Gjakova nuk gjenden në Serbi” – ka thënë deputetja e LVV-së.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 14 qershor  ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Sot Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), do të mbajë një mbledhje ku ndër të tjera, pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i çështjes së televizionit Klan Kosova.

Për rastin e Klan Kosovës, ka pasur edhe reagime mes tjerash nga ambasadorë të shteteve evropiane në Kosovë.

Abbott për rastin e Klan Kosovës: Institucionet të mendojnë me kujdes për masat e radhës